E Hënë, 2 Nëntor 2026

Thyhen xhamat e shkollës Kushtrimi i Lirisë

17/05/2005  Poçi nis takimet takim

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Spartak Poci, ka denoncuar në KQZ, OSBE dhe në organet kompetente sulmin prej disa mbështetësve të kandidatit rival në dëmtimin e ambienteve publike dhe grisjen e listës së zgjedhësve. Ministri i Transporteve, Poçi, tha se “ambientet e rikonstruktuara dhe të rregulluara të shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, vetëm pak çaste pas takimit tim me banorët e zonës, u bë objekt i një sulmi vandal, duke u thyer xhamat dhe iu shgarravitur muret. E gjithë kjo skenë, është shoqëruar më pas edhe me grisjen e listave zgjedhore të votuesve të kësaj zone, të cilat ishin afishuar aty. Sipas dëshmive okulare të disa banorëve, ky sulm është organizuar dhe realizuar nga persona pranë njërit prej kandidatëve për deputet në këtë zonë, nga një forcë politike, e cila ende nuk e ka fshirë nga kujtesa e shqiptarëve autorësinë e ngjarjeve të 1997”. Poçi me këtë rast thekson se “oponioni publik dhe ai ndërkombëtar, pret nga partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputetë, realizimin e një fushate elektorale model për zgjedhjet e 3 korrikut. Por, është për të ardhur keq, që në mes të Tiranës, ende pa filluar zyrtarisht kjo fushatë, individë të dyshimtë, me mbështetjen e ndonjë kandidati për deputet, kërkojnë të rikthejnë edhe njëherë atmosferën e dhunshme të vitit të mbrapshtë 1997”. Gjatë takimit me banorët e zonës elektorale, Poçi ka premtuar ndërtimin, rikonstruksionin, mirëmbajtjen e shkollave dhe krijimin e një mjedisi sa më të qetë social-politik për fëmijët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›