PD, ndrojtje për të komentuar Presidentin
Mazhoranca duket se po qëndron në pritje dhe drejtuesit e koalicionit qeverisës PD-LSI po presin një lëvizje që vjen nga "lart", do të thotë nga zyra e kreut të qeverisë. Kjo pasi asnjë prej politikanëve që përbëjnë lidershipin e selisë blu nuk ka qenë i gatshëm për të dhënë komentin e tij për qëndrimin e Presidentit të Republikës për dialog. Disa nga drejtuesit e Partisë Demokratike, të kontaktuar nga "Shqip" ose nuk janë përgjigjur ose janë shprehur "nuk kam asnjë koment". Ndërkaq edhe nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka pasur ndonjë koment mbi deklaratën e fundit të kreut të shtetit. Siç duket, lojtarët po mendojnë mbi fushën e shahut, pas lëvizjes së papritur të Topit. Edhe pse dje kanë qarkulluar zëra se diçka ka lëvizur nëpërmjet mesazheve telefonike, realisht duket se jemi ende në lëvizjet e para të zgjidhjes së krizës. Palët ka gjasa të luajnë edhe disa kohë me nervat e njëra-tjetrës.