Sot, zgjedhje të pjesshme në pesë njësi vendore
Sot mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë njësi vendore në Shqipëri. Votime do të ketë në minibashkinë numër 10 në Tiranë, Bashkinë e Klosit në Burrel, Komunën Otllak në Berat, Bashkinë Fushë-Arrëz, Komunën Fierzë, zona në të cilat vendi i kryetarëve mbeti bosh pasi drejtuesit morën mandatin e deputetit në zgjedhjet e parlamentare të 28 qershorit. 45 mijë zgjedhës do të drejtohen në 65 qendra votimi për të votuar. Zëdhënësi i KQZ tha se puna më e madhe do të jetë në njësinë nr. 10 të Tiranës, ku do të ketë 26 qendra votimi. "Janë vetëm tre subjekte politike. Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar e cila ka vetëm një kandidat në Otllak, në Qarkun e Beratit", u shpreh zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli. Pak kohë më parë, Partia Socialiste mori vendim për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje, si pjesë e bojkotit, pasi qeveria ende nuk ka bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.