E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-opozitë, plotësohen komisionet e Kuvendit

TIRANE- Socialistët dhe demokratët kanë formatuar dje komisionet parlamentare. Ndërsa në listat e deputetëve të PS-së është vënë re qartë se deputetët e LMN-së janë shmangur nga komisionet e rëndësishme parlamentare, PD-ja nga ana e saj ka emëruar të njëjtët deputetë në disa komisione, në shkelje edhe të rregullores së Kuvendit. Kjo është bërë e mundur pas ndryshimit të pikës 2 të nenit 20, të rregullores së Kuvendit. Sipas variantit të vjetër, deputetët mund të jenë anëtarë vetëm të një komisioni, ndërsa tani kanë të drejtën të jenë në dy komisione, por lejohen të marrin pjesë në komisione të tjera pa të drejtë vote.

Pas rezultatit të ngushtë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, tashmë maxhoranca e djathtë po shikon vështirësi edhe në sigurimin e maxhorancave në komisionet parlamentare. Ndaj, edhe duket se e ka parë të arsyeshme që të bëjë këtë ndryshim në rregulloren e Kuvendit për të lejuar anëtarësinë në dy komisione të deputetëve.

Ndërsa deputetët socialistë kanë plotësuar dje komisionet parlamentare si dhe delegacionet pranë institucioneve ndërkombëtare. Shpërndarja e deputetëve socialistë u bë e ditur gjatë mbledhjes së paradites të grupit parlamentar. Ajo që është vënë re dhe që ka sjellë edhe reagimin e një prej deputetëve të Lëvizjes për Mendim Ndryshe, Kastriot Islamit është se nga Komisioni i Jashtëm ai ka kaluar në Komisionin e Edukimit dhe Arsimit. Burimet nga mbledhja e grupit parlamentar bënë të ditur per Gazeta Shqiptare se Islami ka kërkuar shpjegime për këtë lëvizje. Kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi e ka justifikuar këtë me nevojën për të pasur një balancë me PD-në në të gjitha komisionet. është vënë re edhe lëvizja e deputetit Namik Dokle në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, nga Komisioni i Jashtëm ku ai ka qenë prej një periudhe të gjatë të jetës parlamentare. Në këtë komision është përfshirë deputetja e re, Olta Xhaçka. Ben Blushi është lënë sërish anëtar i Komisionit të Sigurisë, ashtu siç ka qenë edhe në legjislaturën e kaluar. Ndërkohë, edhe në delegacionet parlamentare pranë institucioneve ndërkombëtare është vënë re se, vetëm Arben Malaj nga deputetët “disidentë”, është caktuar në delegacionin pranë Komitetit të përbashkët Shqipëri-Bashkimi Evropian. PS-ja do të ketë vetëm nga një përfaqësues në delegacionet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ku do të jetë Arta Dade, e cila mendohet të jetë edhe nënkryetare e Kuvendit. Ndërsa në delegacionin pranë NATO-s është caktuar Pandeli Majko, si i vetmi përfaqësues i opozitës në këtë delegacion.
(Darina Tanushi/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›