PD përshendeti fitoren e partive të djathta në zgjedhjet e Parlamentit Europian

Partia Demokratike përshëndeti sot fitoren e madhe të partive simotra në të 23 vendet anëtare të Bashkimit Evropian në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Përmes një deklarate për shtyp, Zëdhënësja e fushatës elektorale të PD-së, Majlinda Bregu përshëndeti fitoren e qendrës së djathtë në Evropë, e cila sipas saj "është një tjetër dëshmi e qartë që tregon se Evropa e ka gjetur tashmë rrugën e saj të zhvillimit duke votuar djathtas. Nëse, siç ka deklaruar dhe presidenti i Partisë Socialiste Evropiane, kjo është dita më e trishtuar në historinë e Socialdemokracisë në Evropë, për Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për gjithë shqiptarët, kjo fitore përkthehet si një mbështetje e fuqishme për liberalizimin e vizave, si dhe për zhvillimin e mëtjeshëm të projekteve madhore që qeveria shqiptare ka projektuar për mandatin e saj të dytë, për ta çuar edhe më tej zhvillimin e këtij vendi", tha znj. Bregu. Kjo fitore, sipas saj dëshmon se "Shqipëria ka përkrahës e miq të mëdhenj në Komisionin Evropian dhe Parlamenin Evropian, me në krye presidentin e PE, H. G Potering, të cilët kanë fituar dhe do të udhëheqin Brukselin. Fitorja e Qendrës së Djathtë në mbarë Evropën është një thirrje e fuqishme që na fton të vazhdojmë në rrugën tonë të ndryshimit. Të votojmë si e gjithë Evropa, vetëm djathtas. Fitorja e qendrës së djathtë në 23 vendet e BE-se tregon se vetëm vota djathtas është rruga për të ndërtuar Shqipërinë evropiane", tha në përfundim, znj. Bregu. ...