E Diel, 1 Nëntor 2026

PS vijon zgjedhjet e kryetareve ne rrethe

13/07/2010 Zgjedhjet në PS

Socialistët e Beratit zgjedhin kryetarin e tyre të ri

BERAT- Socialistët e rrethit të Beratit kanë zgjedhur ditën e djeshme kryetarin e tyre të ri, që do t’i drejtojë në vitet në vijim. Procesi është zhvilluar larg syrit të medias. Votimi është zhvilluar paraditen e djeshme në ambientet e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, në qytetin e Beratit, ku i dërguari i kryesisë, deputeti socialist Erjon Braçe, ka ndjekur nga afër zgjedhjet e degës, ndërkohë që mediat nuk janë lejuar të hyjnë në sallën ku është zhvilluar aktivi dhe procesi i votimit. Aktivi i degës mësohet se ka nisur me prezantimin e programeve nga ana e dy kandidatëve, atij aktual Selman Hodaj dhe nënkryetarit të bashkisë Stavri Ceca, pasi kandidatja tjetër Valbona Zylyftari ka deklaruar dorëheqjen nga kandidimi, pak pas nisjes së këtij procesi. Më pas aktivi i degës ka vijuar me procedurën e votimit, proces i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura. Nga procesi i votimit ka rezultuar se nga 229 anëtarë të asamblesë së rrethit, kryetari aktual i degës, Selman Hodaj, ka marrë 122 vota, duke u pasuar nga kandidati tjetër, që ka marrë 103

vota, ndërsa katër vota kanë rezultuar të pavlefshme. Tashmë kryetari i Partisë Socialiste në rrethin e Beratit do të jetë Selman Hodo, i cili ka marrë më shumë

vota se kandidati tjetër për këtë parti.

PS dega Fier

Zhvillohet raundi i dytë pas balotazhit

Zhvillohet seanca e dytë e zgjedhjeve në asamblenë e PS-së, dega Fier, për kreun e kësaj force politike në rreth. Edhe këtë herë anëtarët e kësaj force politike votojnë për njërin prej kandidatëve pas raundit të parë zgjedhor, zhvilluar para disa ditësh në sallën e teatrit “Bylis” të Fierit. Kandidatët Pëllumb Hazizi dhe Xhevit Bushi përballen me votat e 420 delegatëve me të drejtë vote. Gara e tyre është vendosur pas balotazhit të dalë në raundin e parë, ku asnjë prej kandidatëve nuk arriti të marrë 50+1 të votimeve të të pranishmëve. Sipas rezultatit të arritur në raundin e parë zgjedhor, kandidati Xhevit Bushi arriti të marrë 130 vota, ndërsa kandidati Hazizi mori 137. Komisioni i votimit shtyu këto zgjedhje për pasditen e së hënës, duke ftuar edhe një herë votuesit të japin verdiktin e tyre për të zgjedhur sipas statusit të PS-së kreun e PS-së, dega Fier. Kjo erdhi pas një kërkese të bërë nga një grup i konsiderueshëm delegatësh, me arsyetimin se, nëse do të zhvillohej raundi i dytë i balotazhit atë ditë, nuk do të arrihej të kishte një proces zgjedhor vërtet të besueshëm, dhe kjo sepse një pjesë e mirë e delegatëve në çastin e votimit ishin larguar nga salla.

Aurora Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›