E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD shtab elektoral për zbatimin e strategjisë elektorale

30/05/2009  Konsulenca për çdo veprim të kandidatëve merret nga një kompani amerikane

Prej disa muajsh në Partinë Demokratike është ngritur një shtab elektoral, i cili po merret me strategjinë e fushatës, nën konsulencën e një kompanie amerikane që është marrë si konsulente e fushatës. Por duket se lufta më e madhe do të zhvillohet në Tiranë dhe për këtë kandidatët e kryeqytetit po hartojnë një strategji të detajuar me ato çfarë nuk ka bërë Rama si kryebashkiak dhe se çfarë i duhet kryeqytetit në katër vjetët e ardhshëm. Ndotja e ambientit, mungesa e një plani urbanistik, mungesa e ujit në kryeqytet si pasojë e pengesës që ka sjellë Bashkia e Tiranës, kur refuzoi marrjen nën administrim të ujësjellësit, lejet e ndërtimit e të tjera si këto do të jenë në qendër të akuzave nga kandidatët në takimet e tyre. Por përpos kësaj një tjetër strategji do të ndiqet nga Kryeministri Berisha, i cili do ta sulmojë Ramën kryesisht me arritjet e qeverisë së tij, duke e shmangur sa më shumë emrin e tij nëpër takimet elektorale. Nga ana tjetër, strategjia kandidatëve të Tiranës do u shërbejë dhe si udhërrëfyes bazë për debatet televizive, që nuk do të mungojnë gjatë gjithë muajit qershor në ekranet e televizioneve dhe elektorati do të ketë mundësi të bëjë diferencën mes kandidatëve të PS-së dhe atyre të PD-së. Gjithsesi, burime në PD shprehen se këto janë vetëm një pjesë e strategjisë që do të ndiqet në fushatë, pasi janë studiuar problemet përkatëse për çdo qark dhe është nxjerrë problematika mbi bazën e të cilave janë ngritur dhe premtimet elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›