Topalli: Presidenti Topi është identifikuar me pakicën në Kuvend
Shigjetimet e maxhorancës ndaj Topit kanë ardhur pikërisht nga kryeparlamentarja Jozefina Topall, e cila është edhe zëri i vetëm zyrtar. Reagimi i një prej drejtuesve kryesorë të shtetit, njëkohësisht dhe nënkryetares së PD-së tregon qartë, se maxhoranca nuk e priste një reagim të tillë nga ana e Presidentit. Në një prononcim nga Britania e Madhe, Topalli e identifikoi Topin si pjesë të pakicës dhe jo të shumicës parlamentare, e cila votoi me 112 vota Kodin e ri Zgjedhor. Në deklaratën e saj për “Top Channel”, Topalli tha se “Presidenti në këtë rast është identifikuar me pakicën dhe kjo nuk është hera e parë që e bën”. Ajo shtoi se një qëndrim i tillë mbahet në një kohë kur Kodi ka kaluar me votë konsensuale në Parlament. Duke e lidhur qëndrimin e saj me vizitën në Britani, kryeparlamentarja hoqi paralele duke u shprehur se “Mbretëresha Elisabet nuk do të ndërmerrte kurrë një veprim të tillë, që bie në kundërshtim me interesat e vendit”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit më pas ka kujtuar se kreu i shtetit ka qenë kundër edhe ndryshimeve të Kushtetutës, edhe pse ligji themeltar i shtetit u votua me një shumicë votash në seancën e 21 prillit. Pikërisht për këtë votim në Kuvend, Kryeministri Berisha ka deklaruar në një intervistë televizive, se Presidenti Topi ka tentuar të krijojë një minorancë bllokuese brenda radhëve të Partisë Demokratike, por që sipas tij ka marrë përgjigjen e merituar. “Kam marrëdhënie fare korrekte me Presidentin Topi. Nuk injoroj faktin që ka pasur një qëndrim në rastin e zgjedhjes së gjykatësve. Tendenca për të krijuar një minorancë bllokuese në maxhorancë mori përgjigjen e merituar”, është shprehur kreu i qeverisë dy muaj më parë.