PDIU në njësinë numër 3 për çështjen kombëtare
TIRANË Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me mbështetësit e kësaj partie në njësinë bashkiake nr. 3 në Tiranë, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese që të ndërpresë procesin e regjistrimit të popullsisë, me bazë vetëdeklarimin e kombësisë, si pjesë e procesit të nisur dy ditë më parë, kundër ndërrimit të kombësisë. “Ne kemi besim të plotë në institucionet e drejtësisë dhe akoma më shumë në Gjykatën Kushtetuese, se do të jetë e paanshme dhe e drejtë në vendimin e saj. Ne mendojmë se në thelb të këtij kontestimi kushtetues, qëndron papërcaktueshmëria e plotë ligjore e konceptit të kombësisë. Pa një përcaktim të plotë të tij nëpërmjet amendimeve ligjore, s’mund të ketë proces regjistrimi të popullsisë”, - tha Idrizi. Ndërsa, Presidenti i Nderit, Tahir Muhedini, deklaroi përpara mbështetësve të PDIU-së në njësinë nr. 3, se PDIU do të mbështesë çdo nismë që sjell më afër zgjidhjen e çështjes kombëtare.