Turizmi, ligji i ri vështirëson marrjen e licencave nga operatorët
Kushtet për marrjen e lejeve të aktiviteteve turistike do të shtrëngohen dhe do të shtohen me mjaft procedura të tjera, duke e vështirësuar më tej punën për operatorët e rinj turistikë. Sipas projektligjit të ri, që po diskutohet nëpër komisionet parlamentare, amendamentet shtesë do të rrisin masat ndaj shkeljeve që janë bërë në zonat turistike të vendit. Specialistët e këtij projektligji thonë se ai do të orientojë më qartë zhvillimin në të ardhmen e turizmit shqiptar. Ekspertët e turizmit u shprehën kundër tendencës së licencimit të të gjitha aktiviteteve turistike. “Disa prej tyre mund t`i lihen konkurrencës që të vendosë për ta”, - thanë ekspertët. Por operatorët e biznesit turistik kanë kërkuar kohë që të njihen me këtë projektligj si dhe me pikat që synon të ndryshojë ai. Sektori i turizmit po zë gjithnjë e më shumë peshë në rritjen ekonomike të vendit. Për herë të parë gjatë vitit 2007, turizmi u ngjit në krye të klasifikimit përsa u përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë, me rreth 1 miliard euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi. Sipas statistikave të 2007-s, prurjet nga turistët shënuan mbi 1 miliard euro. Mirëpo, zhvillimi spontan i pambështetur me strategji të qarta dhe cilësi shërbimesh, nuk mund ta shndërrojë turizmin në një mjet të qëndrueshëm për të garantuar ritme të larta rritjeje. Aktualisht, sezoni turistik është çelur tashmë në të gjitha qytetet bregdetare dhe flukset e para të turistëve kanë nisur të frekuentojnë plazhet. Me probleme në infrastrukturë dhe në mjedis, pritet që edhe këtë vit fluksi i turistëve të vijë në rritje në krahasim me një vit më parë. Ministria e Turizmit po i jep prioritet turizmit kulturor dhe atij të aventurës.
5 Qershor 2008