PDK e Ndokës ka këndvështrimin e saj për Progres-Raportin e KE

Tiranë 8 nëntor 14:58 NOA - Partia Demokristiane shpreh vlerësimin e saj për objektivitetin e Raportit të Progresit të hartuar nga Komisioni Europian dhe të publikuar ditë më parë.
“Në këtë raport, vlerësohen në veçanti reformat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë kohës që qeverisej nga demokristianët”, - tha sot në një takim me gazetarë, Aida Joanidhi, nënkryetare e PDK-së
Ajo sqaroi se në Raport konkretisht thuhet se është bërë progres në fushën e politikave të shëndetit publik. Raporti vlerëson Strategjinë Kombëtare të Shërbimit Shëndetësor 2007-2013, si një dokument i rëndësishëm që përcakton prioritetet e reformave në këtë shërbim.
Në Raport thuhet se me aprovimin e legjislacionit për transfuzionin e gjakut, Shqipëria ka përafruar kuadrin ligjor me standardet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu vlerësohen përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të implementuar ligjin antiduhan si dhe përpjekjet për hartimin e ligjit të kujdesit shëndetësor.
“Në kundërshtim me të gjitha akuzat që janë bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe stafi i Gërdecit i katapultuar në këtë ministri, raporti i Progresit për të dytin vit radhazi shpreh vlerësimin e tij për reformat e ndërmarra nga z. Nard Ndoka gjatë kohës që ishte ministër Shëndetësie, ndërsa tërheq vëmendjen për ngadalësimin e këtyre reformave gjatë muajve të fundit, siç është bllokimi i miratimit të dy ligjeve, ligjit të kujdesit shëndetësor dhe atij të financimit të kujdesit shëndetësor.
PDK vlerëson se ministrja e Shëndetësisë, Godo, pasi të ketë lexuar me vëmendje Raportin e Progresit të Komisionit Europian, “duhet të kërkojë falje për shpifjet dhe akuzat e bëra në adresë të qeverisjes së Ministrisë së Shëndetësisë nga PDK”.
“Ne shprehim shqetësimin tonë se ministrja e re, me të ardhur në krye të ministrisë së Shëndetësisë, zgjodhi një kurs antireformë, në kundërshtim me Strategjinë Kombëtare të Kujdesit Shëndetësor, të miratuar, të vlerësuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe tani se fundi edhe nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, - tha Joanidhi.
Partia Demokristiane vlerëson edhe se në sistemin tonë shëndetësor punojnë me qindra e qindra mjekë të aftë, profesionistë të vërtetë, që kanë një kontribut të shquar në shëndetësinë shqiptare.
“Ndërkaq ne mendojmë se korrupsioni luftohet me reforma, me modernizim të sistemit dhe me garantimin e standardeve evropiane në sistemin tonë shëndetësor”, - përfundoi Joanidhi.
r.d/NOA