E Hënë, 2 Nëntor 2026

PDR: Edi Rama po bllokon posterat e kandidatëve

15/05/2005  Partia Demokrate e Reformuar ka ngritur dje shqetësimin për mungesën e emrave të votuesve në listat paraprake. "Nga thuajse të gjitha zonat zgjedhore të Tiranës, njoftohemi se ka përsëri probleme, mungesa me emrat e zgjedhësve kur ka mbetur edhe një muaj kohë. Ky problem mund të komprometojë përsëri zgjedhjet e ardhshme. Shfrytëzoj rastin t'u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve në Tiranë edhe me gjerë që të verifikojnë emrat e tyre në lista", tha dje Ahmetaj. Një tjetër shqetësim, ai ka parë dhe mungesën e një vendi, ku partitë do të vendosin posterat e tyre elektorale. "Është e vërtetë që vendosja e tyre duhet të jetë e disiplinuar, por kur vendet akoma mungojnë dhe kur kryetari i Bashkisë Tiranë është lideri i fushatës së PS, atëherë tingëllon e qëllimshme shkulja me vrull e posterave të kandidatëve të opozitës", tha Ahmetaj. Shqetësimi për PDR ka qenë dhe gjendja e rrugëve në kryeqytet. "Është e disata herë që PDR ngre problemin e rrugëve. Këto rrugë kanë tashmë mëse 6 muaj që po punohen, duke përbërë një stres të vërtetë për qytetarët e Tiranës. E dimë që të gjitha do të inaugurohen nga Kryeministri në fushatë, por i bëjmë thirrje Bashkisë Tiranë të përfundojë sa më shpejt këto rrugë, të cilat janë vërtet një problem i madh", u tha në konferencën e dhënë për shtypin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›