E Hënë, 2 Nëntor 2026

STRELA 2-M, arrestohen tre malazezë

14/05/2005  Akuzohen se u siguruan dhe shitën tri raketat tokë-ajër, katër shkodranëve të arrestuar në Vorë

Policia e Malit të Zi ka arrestuar tri persona të dyshuar për sigurim dhe trafikim armësh, konkretisht tri raketave tokë-ajër tip “Strela 2-M”, që u kapën në fund të dhjetorit ’04 afër Tiranës. Ekzekutimi i urdhërarresteve ndaj tyre është kryer në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes, pasi Prokuroria e Malit të Zi i akuzon për trafik ndërkombëtar të armëve. Ata dyshohen nga policia malazeze se u kanë shitur katër shkodranëve raketat tokë-ajër që u kapën pranë qytezës së Vorës. Dragan Radoviç, 30 vjeç nga Nikshici i Malit të Zi, dyshohet se në bashkëpunim me bashkëqytetarët e tij, Zoran Paviçeviç 48 vjeç dhe Branko Sariç 58 vjeç, kanë siguruar dhe shitur tri raketat shkodranëve në fund të vitit të kaluar.

Arrestimi

Ka qenë mbrëmja e të enjtes, kur policia e Malit të Zi ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për arrestimin e Dragan Radoviç, Branko Sariç dhe Zoran Paviçeviç nga Podgorica. Lajmi është publikuar dje nga mediat vendase, si dhe është konfirmuar për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare. Të akuzuarit për trafikim ndërkombëtar armësh në bashkëpunim, u arrestuan pas disa muajve hetim. Në mediat vendase, ku citoheshin burime të policisë e gjykatës malazeze, thuhej se gjatë kësaj kohe ishin grumbulluar të dhëna operative nën dyshimin se janë të implikuar në trafikun e raketave kundërajrore. Ky hetim u krye në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë shqiptare.

Hetimi

Për më shumë se pesë muaj, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kontaktuar disa herë dhe ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Malit të Zi për hetimin mbi trafikun e armëve. Madje, kohët e fundit u hetua bashkarisht edhe mbi trafikun ndërkombëtar të lëndëve plasëse, pas disa atentateve të bujshme të ndodhura në Shqipëri. Nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se gjithçka filloi pas informacioneve operative për një linjë të mundshme trafiku ndërkombëtar të armëve, që kalonte nga Mali i Zi në Shqipëri. Për të siguruar prova materiale, Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me atë malazeze inskenuan një blerje raketash me anë të një agjenti të infiltruar. Pas afro një muaj u arrit të prangoseshin në Vorë të Tiranës katër shkodranë, në automjetet e të cilëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri raketa tokë-ajër tip “Strela 2-M”. Nga hetimet e përbashkëta është konkluduar zyrtarisht se armët dhe lëndët plasëse e kishin burimin në Mal të Zi dhe trafikoheshin më pas nga shqiptarët.

Shkodranët e arrestuar trafikuan armë për herë të parë

Gjatë hetimit të kësaj çështje, Prokuroria ka konkluduar se katër të arrestuarit ishin thjeshtë transportues të armëve dhe se ata ishin rekrutuar në këtë rrjet vetëm një herë. Por hetuesit nuk kanë arritur në ndonjë emër konkret për organizatorët e trafikut, të cilët dyshohet se e ushtrojnë prej kohësh këtë aktivitet. Sipas burimeve, transportuesit e armëve rekrutoheshin vetëm një herë, me qëllim që të mos kishin dijeni mbi aktivitetin e mëparshëm të grupit, nëse do të binin në pranga. Tjetër shkak ishte që të mos binin në sy të policisë. Ndërkaq, pritet që së shpejti Prokuroria e Krimeve të Rënda të ketë në dorë edhe dosjen hetimore të homologëve malazezë dhe çështja të niset për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pranë qytezës së Vorës, ranë në pranga katër transportuesit, ndërsa po bëhej shkëmbimi i raketave me shumën e parave të paracaktuara. Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Mentor Cami dhe Armir Troshani, u arrestuan nën akuzën e trafikimit të armëve të lehta në bashkëpunim.

Trafikantët u prangosën pas disa orë ndjekje nga policia

Katër trafikantët e armëve u arrestuan në fund të dhjetorit 2004, në sajë të bashkëpunimit të drejtësisë shqiptare me homologen e saj malazeze. Sipas njoftimit zyrtar të atëhershëm të Policisë së Shtetit, ky grup kriminal kishte tendencë trafikimin ndërkombëtar të armëve dhe municioneve luftarake. Policia arrestoi atëherë në flagrancë katër pjesëtarë të këtij rrjeti; Ilmi Isufin, Sokol Mujajn, Armir Troshanin dhe Mentor Canin, të gjithë banues në rrethin e Shkodrës. Ata u kapën në flagrancë duke udhëtuar në aksin rrugor Rinas-Vorë me një furgon në të cilin ndodheshin raketat dhe një autoveturë tjetër që drejtohej prej tyre. Policia dhe Prokuroria sekuestroi në cilësinë e provës materiale tri raketat tokë-ajër të markës “Strela 2M”. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy mjetet që drejtoheshin prej tyre. Policia shqiptare kishte komunikuar atëherë me homologen malazeze, duke i kërkuar që të mos i ndalonin për kontroll në kufi shkodranët. Ndërsa i kanë ndjekur që prej Shkodrës deri në Vorë të Tiranës, ku edhe ishte lënë shkëmbimi i raketave me paratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›