E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ushtari “vrasës” në spital për ekzaminim psikik

14/05/2005  Prokuroria pranon kërkesën e mbrojtjes për të parë nëse Avdia vuan apo jo mendërisht

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të marrë parasysh kërkesën e avokatit mbrojtës të ushtarit vrasës, Naim Avdisë, pas pretendimeve se ky i fundit vuante nga sëmundje psikike. Kështu, ai pritet të transferohet në Spitalin e Burgut në Tiranë, ku do të qëndrojë disa ditë, gjersa mjeko-ligjorët dhe specialistë psikiatër të ekzaminojnë gjendjen e tij. Duket se kjo ekspertizë mjeko-ligjore për gjendjen e tij psikike do të jetë vendimtare edhe në masën e dënimit, që do të kërkojë Prokuroria. Kjo e fundit e akuzon kavajasin 19-vjeçar Avdia për veprat penale të vrasjes me dashje dhe vrasje me dashje të mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një personi.

Ekzaminimi

Pas kërkesës së avokatit mbrojtës të 19-vjeçarit Naim Avdia, që ky i fundit t’i nënshtrohet një ekzaminimi lidhur me gjendjen e tij psikike, Prokuroria ka vendosur ta pranojë. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Metropol” nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat sqaruan se ai pritet të transferohet për disa ditë në Spitalin e Burgut, ku edhe do të ekzaminohet nga mjeko-ligjorët. Avokati mbrojtës i ushtarit, pretendoi para gjykatës, gjatë marrjes së masës së sigurisë ndaj tij, se Avdia vuante nga sëmundje mendore dhe se në momentin e kryerjes së aktit të vrasjes është ndodhur nën gjendje të rëndë psikike. Madje, ai theksoi se mund të provonte me anë dokumentesh se Avdia vuante nga sëmundje mendore. Por deri tanimë, në Prokurori nuk është paraqitur asnjë dokument i tillë, thonë burimet. Nisur nga këto fakte dhe për të pasur një version zyrtar mbi pretendimin e mbrojtjes, është vendosur ekzaminimi i tij psikik, theksojnë burimet.

Ngjarja

Rreth një javë më parë, Naim Avdia, ushtar pranë Repartit të Xhenios te Bregu i Lumit, ekzekutoi me armën e shërbimit

16-vjeçarin Afrim Velisula dhe plagosi lehtë shokun e viktimës, Dashamir Gjoni, 17 vjeç, banues në këtë zonë. Në momentin ku Naimi ka hapur zjarr, aty janë ndodhur edhe fëmijë të tjerë, të cilët hynin brenda rrjetës së repartit për të mbledhur hekura, të cilët më vonë i shisnin. Aty është ndodhur edhe vëllai i viktimës, Jetmir Velisula. Nga hetimet dhe dëshmitë e okularëve, Prokuroria konkludoi se fëmijët janë qëlluar jashtë rrethimit të ushtarëve. Ndërsa vetë Naimi ka pranuar akuzën e vrasjes, por ka thënë se gjithçka e ka bërë pasi i ka paralajmëruar disa herë fëmijët të largoheshin dhe të mos e shanin.

Naimi njihej si problematik

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje edhe ushtarë të tjerë të Repartit të Xhenios, të cilët kanë pohuar se Naim Avdia njihej si person problematik në sjellje. Sipas ushtarëve të tjerë, ai ishte impulsiv dhe gjaknxehtë. Gjithashtu, hetuesit kanë mësuar se Avdia është transferuar në këtë repart për shkak të sjelljes së tij jo të hijshme, thonë burimet e Prokurorisë. Sipas thënieve të ushtarëve të tjerë në hetuesi, Avdia shpeshherë shpërqëndrohej, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›