E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH pa pushime verore

Tetovë -Partia Demokratike Shqiptare nuk do të pushojë këtë verë, për shkak të aktiviteteve të ngjeshura partiake. Kjo është vendosur në mbledhjen e fundit të kryesisë së kësaj partie. “Vera do të jetë me aktivitete intensive me të gjitha strukturat partiake, me ç`rast kryesia e lartë do të jetë e pranishme në të gjitha degët e vendit për të diskutuar për zhvillimet e fundit politike si dhe për shpalosjen e marrëveshjes së re mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, ka theksuar zëdhënësi i PDSH-së, Adriatik Imeri.

Në kuadër të aktiviteteve, kryesia e PDSH-së do të qarkullojë në të gjitha degët e vendit, duke qenë pjesë e mbledhjeve të degëve partiake, ku siç bëhet e ditur do të dëgjohen së afërmi sugjerimet dhe vlerësimet e degëve lidhur me aktivitetet partiake.

“Ne do të jemi pranë kryesive të degëve për të dëgjuar për së afërmi ata, ndërkohë për të vlerësuar punët e tyre në nivel lokal. Ky bashkërendim i aktiviteteve sigurisht do të jetë në funksion të shqyrtimit për së afërmi të zhvillimeve politike në Maqedoni”, theksojnë pranë PDSH-së.

Kjo parti ka paralajmëruar edhe zgjerimin e ekipit të ekspertëve për hartimin e marrëveshjes së re shqiptaro-maqedonase, e cila tashmë po punohet nga një ekip i ngushtë i këshilltarëve të kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi. Shpalosja e marrëveshjes pritet të bëhet në shtator të këtij viti, ndërsa paraprakisht me detaje të saj do të njihen edhe diplomatët perëndimor dhe forumet partiake të PDSH-së. (ina/start)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›