E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje kundërshton planin për Mogillën

Viti -Në kuadër të Planit të Ahtisaarit parashihet edhe krijimi i komunës së Kllokotit. Në këtë komunë parashihet që të hyjë edhe fshati Mogillë. Mogilla është një fshat i banuar me shumicë shqiptare në komunën e Vitisë. Nëse ata do të hynin në komunën e Kllokotit, atëherë shqiptarët do të mbesin pakicë. Me nismën e banorëve të Mogillës, Lëvizja Vetëvendosje! organizoi një tubim në oborrin e shkollës së fshatit, të enjtën në orën 19:00.

Më fjalën e tij Albin Kurti foli në përgjithësi për të këqijat që i sjell procesi i decentralizimit, e sidomos në rajonin e Anamoravës. "Përmes këtij procesi Vitia po bëhet Mitrovicë e re. Nuk kemi nevojë që ta dezintegrojmë Anamoravën, por kemi nevojë që ta integrojmë veriun e Kosovës-theksoi Kurti. "Për ta realizuar më lehtë këtë decentralizim etnik, pushtetit i duhen edhe disa njerëz nga fshati juaj, prandaj ata i gjetën disa njerëz si Refik Halili dhe Pajazit Ramadani. Këta shkuan në emrin tuaj pa ju pyetur juve, për të punuar në dëmin tuaj. Ju nuk duhet të pajtoheni dhe, në të njëjtën kohë, duhet që të organizoheni për ta kundërshtuar decentralizimin. Unë nuk mund ta ndali krijimin e komunës së Kllokotit, por ju mund ta bëni një gjë të tillë. Nëse ju bëheni të gjithë bashkë dhe organizohi, atëherë unë do të jem këtu me ju"- shtoi ai.

Në fund të tubimit u formuan grupet për organizimin e peticionit kundër decentralizimit dhe kundër përfshirjes së fshatit Mogillë në komunën e Kllokotit. Qëndrim i të gjithëve ishte që do të angazhohen maksimalisht që të mos e lejojnë krijimin e komunës së Kllokotit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›