E Diel, 1 Nëntor 2026

PE, Pitela në Tiranë, komenton vizat dhe krizën politike

TIRANE-Një tjetër apel për bashkëpunim nga Parlamenti Europian në adresë të politikës shqiptare. Një ditë pas takimit të raportuesit për Shqipërinë në PE në Presidencë, sot me kreun e shtetit shqiptar Bamir Topi është takuar zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, zoti Xhovani Pitela. Numri dy i Parlamentit Europian apeloi per klime te qete politike ne Shqiperi edhe ne nje aktivitet te PS ne Durres me tematike vizat. Pitela percolli mesazhin se Shqiperia e meriton liberalizimin e vizave gjate takimeve me socialistet dhe Topallin. Sipas tij klima e qete politike eshte baze ne integrimin e vendit ne BE.

Integrimi kerkon stabilitet politik
Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur sot se në bisedën mes tyre, Pitela, duke shprehur besimin se Shqipëria do të arrijë të përmbushë me sukses dhe sa më shpejt detyrimet integruese për në BE, theksoi rëndësinë që ka qëndrueshmëria politike në vend për këtë proces. Më tej Zoti Pitela vlerësoi lart rolin pozitiv e moderues të Presidentit Topi për zgjidhjen e ngërçit aktual politik duke vënë në pah gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në konsolidimin e paqes e stabilitetit në rajonin Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin e këtij rajoni në familjen evropiane.

Nga ana e tij, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të situatës politike aktuale në vend, Presidenti Topi si dhe shprehu dhe vullnetin për rritjen e kontakteve me Parlamentin Evropian.
Gjatë takimit, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të liberalizimit të vizave, i cili do të sigurojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë, si një hap përshpejtimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE i shërben stabilitetit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni dhe afirmon njëkohësisht rolin e BE-së, si një organizatë ndërkombëtare me influencë të gjerë. Shqipëria kontribuon mjaft në rritjen e stabilitetit në rajon me anë të rritjes së bashkëpunimit me vendet fqinje, dhe jep garanci për zhvillimin e tij, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm", theksoi Presidenti Topi.
Presidenti Topi shprehu gjithashtu kënaqësinë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike me Italinë dhe theksoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat është mjaft i rëndësishëm.

Në takim ishte i pranishën edhe Ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia.

Një ditë më parë në takim me Presidentin dhe figura të tjera të rëndëisshme të shtetit shqiptar ishte raporteri për Shqipërinë në PE, Chountis.
Mesazhet vijne në një moment kur politika shqiptare ndodhet në një krizë pas mosmarrëveshjeve për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.

Zv/presidenti i PE garanci Topallin për heqjen e vizave
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Xhovani Pitela, garantoi sot Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë takimit në Tiranë, për angazhimin e tij në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.
Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Kryetarja e Kuvendit i kërkoi zv/presidentit të PE-së, Pitela, mbështetje për heqjen e vizave në Parlamentin Europian, por edhe përmes influencës së tij në raportet më përfaqësues të lartë të politikës europiane.
Pitela e garantoi Kryetaren e Kuvendit për përkrahjen dhe influencën e tij personale gjatë procesit të heqjes së vizave, por dhe në përshpejtimin e proceseve integruese.
Duke u ndalur në situatën politike Kryetarja Topalli ftoi sërish opozitën të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, duke theksuar se "askush më shumë se unë si Kryetare e Kuvendit, nuk është e interesuar të shohë opozitën të jetë pjesë e veprimtarisë së plotë të parlamentit. Parlamenti është vendi i dialogut, i negociatave dhe kompromiseve".
"Unë shpresoj që deputetët e opozitës të bëhen pjesë, jo vetëm e transparencës së zgjedhjeve më të mira e të ndershme të realizuara në Shqipëri, por mbi të gjitha të luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në debatet për ekonominë, shëndetin, arsimin, rrogat e pensionet", tha znj. Topalli.
Nga ana e tij zëvendëspresidenti i PE-së, Pitela tha se "Parlamenti është shtëpia e të gjithëve dhe ne favorizojmë dialogun në parlament".

Pitela takon socialistet
Pas takimit me Presidentin në Tiranë, Pitela është ulur me deputetë të PS në një aktivitet me tematikë Vizat tek hotel “Adriatik” në Durrës. Të pranishëm në aktivitet kanë qënë deputetët, e PS, Gramoz Ruci, Eduart Shalësi, Taulant Balla, Ledi Shamku, Olta Xhacka, Blendi Klosi Ilir Beqja e etj. Mediat pyetën Pitelën për situatën politike në Shqipëri, dhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, nuk ngurroi të uronte një klimë të qetë politike. Pitela gjatë aktivitetit diskutoi për liberalizimin e vizave ku theksoi se “do ti kerkojme Komisionit Europian pershpejtim te procedurave per Shqiperine. Shqiperia meriton liberalizim vizash”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›