E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE do të vazhdojë të përkrahë Kosovën

Strasburg -Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni u takua të martën në Strasburg me kryetarin e Parlamentit Evropian, Hans-Gert Pottering, të cilin e njoftoi me zhvillimet në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë...Gjatë takimit, Hyseni e njohu Pottering me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe funksionalizimin e plotë të tyre, procesin e njohjes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, situatën ekonomike, gjendjen e sigurisë, me theks të veçantë në veri të Kosovës.

Ministri kosovar nënvizoi rëndësinë e funksionalizimit të plotë të EULEX-it dhe përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, ndërsa ka theksuar perspektivën evropiane të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. Ai po ashtu ka falënderuar Potteringun për ndihmën e madhe që ka dhënë për Kosovën Parlamenti Evropian, si dhe ka kërkuar përkrahje edhe në të ardhmen.

Duke shfaqur shpresën se edhe pesë vendet e mbetura anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, do të bëjnë një gjë të tillë, Hyseni në veçanti kërkoi përkrahjen për Kosovën sidomos në rrafshin e njohjeve të mëtejme.

Kryetari i Parlamentit Evropian, Hans-Gert Potering, nga ana e tij – siç theksohet në komunikatë - ka përgëzuar ministrin Hyseni për të gjitha arritjet e Kosovës, si dhe ka siguruar atë se Parlamenti Evropian dhe ai personalisht do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit evropian. Në takim ishin të pranishëm edhe eurodeputetja Doris Pack dhe Ingo Fridrih nga Grupi PanEvropa. /telegrafi/start/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›