E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE përshëndet kthimin e opozitës në Kuvend

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 16:49

Vendimi i opozitës shqiptare për t’u rikthyer dhe marrë pjesë tërësisht në punimet e Kuvendit për të votuar ligjet më të rëndësishme që kërkojnë 3/5 e votave është përshëndetur nga të gjitha grupimet politike në Parlamentin Europian, madje kjo gjë do të diskutohet edhe midis komisionerit Füle dhe eurodeputetëve javën e ardhshme në Strasburg.

Flet për “ABC News” eurodeputetja Doris Pack

Ç’mendoni për kthimin e opozitës socialiste në Parlamentin shqiptar?

Ata kanë qenë në parlament, por tani kanë premtuar që do të punojnë për integrimin europian të vendit.

Ky është një lajm i mirë dhe shpresoj se ata do të mbajnë premtimin e dhënë. Integrimi i shërben interesit të qytetarëve shqiptarë, ndaj ne kemi thënë dhe vitin e shkuar që qeveria dhe opozita të punojnë seriozisht për këtë.

Eshtë për t’u përshëndetur dhe shpresoj, që të ndodhë realisht.

Por në fakt, jemi një muaj para progres-raportit. A nuk është pak vonë për të ndryshuar rrjedhën?

Nuk është asnjëherë vonë. Nëse ata fillojnë të bashkëpunojnë tani, kjo tregon reflektim dhe kjo është gjë e mirë. Nëse ata nuk do të fillonin tani, atëherë do të ishte një marrëzi, por ata nuk janë të marrë. Ata e kanë kuptuar që nëse duan të mbështeten nga Bashkimi Europian dhe Komuniteti Ndërkombëtar, ata duhet të kryejnë detyrën për të cilën janë zgjedhur nga votuesit shqiptarë. Për mua është një fillim i ri, ndoshta një epokë e re dhe të dyja palët duhet të fillojnë tani të zbatojnë agjendën europiane.

Por nëse Shqipëria nuk e merr statusin e kandidatit?

Edhe nëse Shqipëria nuk e merr statusin, të paktën të dyja palët po punojnë për këtë status. Kurdo që të fitohet statusi, kjo mund të bëhet vetëm nëse të dyja palët bashkëpunojnë për këtë qëllim. Nuk ka rëndësi se cili është në pushtet. Integrimi është në interesin e qytetarëve shqiptarë dhe kjo duhet të merret në konsideratë nga të dyja palët.

***

Por disa javë para shpalljes së progres-raportit, kjo mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, vetëm nëse qeveria dhe opozita rivendosin një dialog politik të frytshëm...

***

Flet për “ABC News” eurodeputetja Tanja Fajon

Opozita shqiptarë është rikthyer në Parlamentin shqiptar për të marrë pjesë plotësisht në punimet e Kuvendit dhe për të votuar legjislacionin e nevojshëm për reformat europiane. A ishte ky lajmi që prisnit?

Fakti që opozita shqiptare është në parlament është një nga lajmet më të mira që kemi marrë nga Shqipëria gjatë muajve të fundit. Është një hap shumë pozitiv për rivendosjen e dialogut në Parlamentin shqiptar.

Të gjitha palët duhet të angazhohen për një dialog konstruktiv për të ardhmen e Shqipërisë. Është shumë e nevojshme që Shqipëria të vazhdojë përafrimin në Bashkimin Europian përmes një dialogu të shëndoshë dhe të vazhdueshëm. Ky është një hap shumë pozitiv. E mirëpres dhe është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Ne e dimë që mbeten shumë pak javë para shpalljes së progres-raportit të Komisionit Europian. A mendoni, që ndoshta ka një shans që në rast të një bashkëpunimi të frytshëm midis palëve në Shqipëri, rrjedha të ndryshojë?

Në Parlamentin Europian ne diskutojmë vazhdimisht për të ardhmen e Ballkanit. Kur vjen puna tek Shqipëria, ka patur shumë shqetësime në të shkuarën. Shpresoj, që dialogu në Parlamentin shqiptar, vendi ku deputetët janë zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, do të ndihmojë për të përforcuar integrimin europian të Shqipërisë.

Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përqendrohen në strategjinë e integrimit dhe të zbatojnë të 12 rekomandimet e Komisionit Europian.

Besoj që do kemi lajme të mira para shpalljes së progres-raportit. Kemi disa lajme të mira jo vetëm nga Shqipëria dhe shpresojmë që të hedhim një hap përpara drejt integrimit europian të këtyre vendeve.

A ka shans që Këshilli i ministrave të mund të rikonsiderojë qëndrimin për Shqipërinë , pasi ekziston mundësia që nëse Komisioni konstaton progres të konsiderueshëm, kjo mund të ketë efekt?

Do të ishte një spekulim nëse nisemi të parashikojmë se cili do të jetë progres-raporti i Komisionit Europian.

Kjo është detyra e Komisiont Europian.

Parlamenti Europian monitoron dhe ndihmon politikanët në Shqipëri.

Nëse Shqipëria tregon pjekuri me dialogun politik, mund të ketë lajme pozitive, por kjo është përgjegjësia e politikanëve dhe duhet të presim frytet. /abcnews/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›