E Diel, 1 Nëntor 2026

PLL: Reformat e suksesshme, fitore e sigurt e së djathtës



Reformat e suksesshme të qeverisë “Berisha” janë vendimtare për fitoren e së djathtës më 28 qershor. Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahia, vlerësoi dje rëndësinë e veçantë që kanë zgjedhjet e 28 qershorit për Shqipërinë, pasi siç u shpreh ai, "nga rezultati i tyre do të vendoset fati i reformave të ndërmarra nga qeveria e djathtë, të konsideruara nga të gjithë si mjaft të suksesshme". PLL, parti aleate me koalicionin "Aleanca e ndryshimit", e drejtuar nga PD, hapi dje fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, në një takim në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku krahas shumë mbështetësve të kësaj force, ishin të pranishëm dhe përfaqësues të partive pjesëmarrëse në këtë koalicion, i përbërë nga 10 subjekte politike. "Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet fati i reformave në ekonomi, që përkthehet në paga dhe pensione më të larta, rrugë, ujësjellës, investime të mëdha që do të rrisin më tej standardin e jetesës në çdo skaj të vendit tonë", - tha Spahia në fjalën e tij, duke nënvizuar se nga këto reforma varet fati i integrimit në BE, ku shqiptarët synojmë të realizojnë ëndrrën e hershme. Zgjedhjet e 28 qershorit, - vijoi Spahia, - paraqesin një rëndësi të madhe dhe për forcën që drejton, PLL-në. "Përmes këtyre zgjedhjeve, PLL synon që të realizojë një përfaqësim real parlamentar, që do të krijojë mundësinë e përfshirjes dhe materializimit në politikat shtetërore dhe programet qeverisëse të parimeve tona, për një shtet të fortë dhe në dobi të qytetarëve, për shenjtërinë e pronës, ruajtjen dhe krijimin e mundësisë që shqiptarët kudo që ndodhen të ndihen bashkë në kulturë, ekonomi, zhvillim dhe të punojmë çdo ditë për ëndrrën tonë të madhe të bashkimit kombëtar", - u shpreh Spahia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›