PLL: Vlerësim për historinë tonë kombëtare
Eshtrat e mbretit Zogu i Parë pritet të mbërrijnë nga Parisi në atdhe javën e ardhshme më 16 nëntor. Homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Brigadave, ndërsa një ditë më pas (17 nëntor), do të zhvillohet dhe ceremonia zyrtare e rivarrimit të eshtrave të mbretit Zogu i Parë
Eshtrat e mbretit Zogu i Parë do të vijnë në Shqipëri në 16 nëntor, për tu rivarrosur në Atdhe. Kreu i PLL-së Ekrem Spahia bëri të ditur se homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Brigadave ndërsa më pas do të bëhet dhe ceremonia zyrtare e rivarrimit të eshtrave. “Pas 51 vjetësh në datën 16 nëntor kthehen eshtrat e mbretit Zogu i Parë nga Parisi, dhe në datën 17 nëntor do të zhvillohen homazhe te pallati mbretëror, i quajtur sot Pallati i Brigadave. Në orën 13.00 do të zhvillohet ceremonia zyrtare shtetërore, për rivarrimin e eshtrave të mbretit Zogu i Parë. Do të ftojmë të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në pritjen dhe ceremoninë për rivarrimin e eshtrave të mbretit Zogu i Parë sepse ai ishte mbreti i të gjithë shqiptarëve”, bëri të ditur kreu i PLL-së, Ekrem Spahia.
Ndërkohë ceremonitë për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I do të fillojnë në Paris ku do të marrin pjesë përfaqësues të shtetit francez, atij shqiptar, anëtarë të familjes mbretërore dhe shqiptarë të diasporës. Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog do të mbërrijnë në Tiranë më 16 Nëntor. Homazhet do të organizohen ditën e shtunë me datë 17 Nëntor, nga ora 10:00 - 12:00 në Pallatin Mbretëror (Pallati i Brigadave). Ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zogu I në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore.
Këto ditë Partia “Lëvizja e Legalitetit” ka dhe një ngjarje tjetër të shënuar. Pas nderimit që i bëri dje Kuvendi i Shqipërisë, më datë 18 Nëntor 2012 do të zhvillohet në Krujë ceremonia festive e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” për Abaz Kupin. Gjithashtu, sheshi kryesor i qytetit të Krujës do të mbajë emrin e tij dhe do të ketë bustin e tij.
Sipas partisë “Lëvizja e Legalitetit” qeveria shqiptare ka marrë vendimet e duhura për kthimin në atdhe të eshtrave të Mbretit Zog I; për rindërtimin e Mausoleumit të Familjes Mbretërore; për vendosjen në Tiranë të monumentit të Mbretit Zog I dhe për organizimin e ceremonive përkatëse. Partia “Lëvizja e Legalitetit” gjen rastin për të shprehur mirënjohjen e saj për nismën e kryeministrit Berisha dhe mbështetjen institucioneve të tjera. Partia “Lëvizja e Legalitetit” e vlerëson këtë nismë të Qeverisë Shqiptare si një veprim të rëndësishëm për respektimin dhe vlerësimin e historisë tonë kombëtare, Mbretërisë Shqiptare, Mbretit Zog I, Familjes Mbretërore dhe legalistëve e mbretërorëve shqiptarë kudo qofshin.