Shkarkimi, Nard Ndoka braktis mbledhjen e qeverisë
PDK-ja, zyrtarisht jashtë kabinetit qeveritar
Berisha: Nuk flas në qeveri për ndryshimet
Nard Ndoka, akoma në detyrë si ministër i Shëndetësisë, në shenjë proteste ndaj përjashtimit të PDK-së nga qeveria, braktisi mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Në karrigen e Ndokës ishte ulur zëvendësministrja, Zamira Sinoimeri. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha evitoi çdo koment mbi lëvizjet e fundit në kabinet apo mungesën e ministrit të Shëndetësisë, që sipas gjasave, nuk do të jetë më aleati i tij në mazhorancë. Kjo, pasi zyrtarisht Nard Ndoka ka mbetur jashtë qeverisë, pasi dështuan negociatat dypalëshe për zhvendosjen e PDK-së nga Shëndetësia tek Ministria e Bujqësisë apo ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Biseda e dy ditëve më parë mes Ndokës dhe sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Ridvan Bode, që mund të konsiderohej si fillimi i negociatave me këtë parti për përfshirjen në qeveri, duket se ka mbyllur njëherësh këtë proces, pasi palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Kjo mungesë kompromisi duket se ka detyruar dje kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka, që të bojkotojë mbledhjen e qeverisë dhe të qëndrojë në zyrën ministrore si shenjë proteste ndaj vendimit të Berishës për ta larguar nga stafi qeveritar. Z.Ndoka ka refuzuar postin e nënkryetarit të Parlamentit shqiptar, pikërisht atë post që ka lënë bosh Fatos Beja, i cili emërohet në detyrën e ministrit të ri të Arsimit. Sipas Ndokës, oferta e PD-së nuk është në përputhje të plotë me marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar mes PD-së dhe PDK-së për një post ministror. Në kushte të tilla, Ndoka ka këmbëngulur për njërën nga dy ministritë, atë të Kulturës dhe të Bujqësisë, duke mbajtur edhe postin e nënkryetarit të Parlamentit. Gjithsesi, duket qartë se kandidatura e republikanëve për Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë gati dhe pritej vetëm zyrtarizimi i saj. Anila Godo ishte kandidatura e PR-së për të zëvendësuar Nard Ndokën. Por ky i fundit, deri ditën e martë në mesditë nuk ishte në dijeni të lëvizjeve të Kryeministrit. Madje Ndoka, si kryetar i një prej partive kryesore aleate të PD-së, nuk kishte pasur asnjë bisedë me Berishën. Kjo situatë paralajmëroi dhe mbetjen jashtë qeverisë të demokristianëve, ndërsa lëvizja e shefit të qeverisë u bë një ditë pas krijimit të grupit parlamentar të “Qendrës”, ku në shumicë janë deputetët e përjashtuar nga PS-ja, të cilët nuk e kanë fshehur mbështetjen që do i japin qeverisë së djathtë me vota në Parlament. Gjithsesi, Ndoka gjatë takimit me z.Bode konfirmoi faktin se ishte i gatshëm të largohej nga Ministria e Shëndetësisë, por duke këmbëngulur në të njëjtën kohë që pesha e demokristianëve në qeveri të jetë e njëjtë. Edhe sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, i ka kërkuar Ndokës që të mbetet pjesë e koalicionit të djathtë, si një parti e rëndësishme e saj, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje për kërkesat e Ndokës.