PLL në Shkodër, me synime ambicioze për përfaqësimin në parlamentin e ardhshëm
Në kuadrin e takimeve dhe përgatitjeve për zgjedhjet e 28 qershorit, kryetari i Lëvizjes së Legalitetit, Ekrem Spahia dhe sekretari politik i kësaj partie, Sulejman Gjana, zhvilluan një takim pune me komitetin drejtues të degës së Legalitetit në Shkodër.
Takimi u përqendrua kryesisht në organizimin e punës së kësaj dege, si edhe në strategjinë e cila duhet ndjekur në Shkodër për mobilizimin dhe angazhimin e të gjithë faktorit nacionalist të këtij rrethi në fushatën zgjedhore. Duke u nisur nga tradita nacionaliste, patriotike dhe demokrate të rrethit Shkodër, ku rezultatet pozitive të së djathtës kanë qenë shembullore gjatë gjithë viteve të demokracisë, PLL në kuadër të koalicionit me PD-në, ka synime ambicioze për tu përfaqësuar denjësisht në parlamentin e ardhshëm, tha gjatë takimit kryetari legalist Ekrem Spahiu. Për ti shërbyer më së miri fitores së forcave të djathta, ku Legaliteti do të ketë vendin e saj, dhe për tiu përgjigjur nevojës së koordinimit dhe bashkëpunimit të mirëfilltë të të gjithë aktorëve të PLL, në qarkun e Shkodrës, Komiteti Drejtues i degës PLL Shkoder vendosi, që degën e PLL ta drejtojnë Nikolin Destanishta dhe Muharrem Shkreli si bashkëkryetarë të kësaj dege.