Pack, takime me autoritetet më të larta të vendit
Europarlamentarja Doris Pack mbërrin në Tiranë dhe nesër pritet të takohet me autoritetet më të larta të vendit. Paraditen e sotme është paralajmëruar takimi me presidentin Topi, në pallatin e brigadave, ndërkohë që priten një sërë takimesh të tjera gjatë qëndrimit të saj në Tiranë.
Tema e bisedimeve pritet të jetë situata parazgjedhore në vend dhe çështja e shumë debatuar e aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian. Gjatë një deklarate të fundit, Pack ka këshilluar autoritetet shqiptare që të mos nxitohen me procesin e aplikimit duke vlerësuar si periudhën më të mirë fundin e këtij viti. Europarlamentarja theksoi se momenti i zgjedhur nga qeveria brenda qershorit është i papërshtatshëm pasi vetë parlamenti europian ndodhet në proces zgjedhjesh. Ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte. Më besoni, shprehet Pack. Ndër të tjera ajo ka veçuar se një aplikim, të cilit do ti mungonte përgjigja e shpejtë e BE-së është më i dëmshëm për vendin sesa pritja për ta bërë këtë gjë në një moment më të përshtatshëm. Sipas kryetares së delegacionit për Evropën Juglindore në PE është tepër frustruese, që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Evropian.