E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtoresha e USAID kërkon angazhimin konstant të Shqipërisë

Drejtoresha e USAID Roberta Mahoni, u shpreh se marrja e anëtarësimit në NATO, nga Shqipëria muajin që vjen, vë shqiptarët para një përgjegjësie më të madhe për një qeverisje sa më efiçente. Ndër të tjera ajo ka lajmëruar ngritjen e një task-force në gjashtë rrethe të vendit, mes prokurorisë dhe gjykatës administrative. Ajo ka theksuar se zbatimi i projekteve në fazën e dytë, do të duhet të ketë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve, dhe ka vënë në dukje se faza e dytë, e administruar nga USAID-i synon të përmirësojë aftësinë e sistemit gjyqësor për trajtimin e mosmarrëveshjeve administrative, të zvogëlojë korrupsionin dhe ineficensën në administratën tatimore, si dhe të ndërtojë një qendër kombëtare 'One Stop Shop' për licencat e bizneseve. "Bashkëpunimi duhet të fillojë që nga Parlamenti, ka miratuar fazën e dytë dhe duhet të merret me miratimin e ligjeve, duke patur konsensusin e nevojshëm. Kjo do të ndihmojë edhe prokurorinë, e cila në disa raste ndodhet në pozicione këshilluese ndaj qeverisë. Si dhe do të ndihmojë organizatat e shoqërisë civile, për ta bërë qeverinë më të përgjegjshme", u shpreh Mahoni. Drejtoresha e USAID ka theksuar se, pavarësisht zgjedhjeve të qershorit, këto projekte duhet të vazhdojnë, pasi nëse Shqipëria kalon me sukses këtë fazë, atëherë e presin projekte edhe më të mëdha. Gjithashtu, sipas saj marrëveshja synon të krijojë një sistem transparent të dhënies së lejeve të ndërtimit, si dhe të formojë një Njësi të Përbashkët Hetimore në gjashtë qytete për të hetuar çështjet e korrupsionit. Në Fazën e II të kësaj Marrëveshje, e cila përfshin periudhën janar 2009-2011, sipas Mahoney kërkohet angazhimi i palës shqiptare, i cili duhet të mbetet konstant pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të Qershorit. "USAID si përgjegjës për këtë program ka besim se Shqipëria do t'i përmbush këto pritshmëri. Dy vitet e fundit kanë treguar se ky partneritet mund të arrijë rezultate të dukshme dhe Shqipëria ka përfituar në të gjitha fushat. Nëse punojmë së bashku atëherë mund të bëjmë që Faza e Dytë të ketë sukses", tha Mahoney, duke konfirmuar se USAID mbetet një partner plotësisht i angazhuar për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›