E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA financon projektin për licencimin e bizneseve

 Sfida e Mijëvjeçarit, ngrihen gjashtë struktura investigative     
Ndryshe nga çishte njoftuar nga media të ndryshme për rrezikun e dështimit të projektit Sfida e Mijëvjeçarit, dita e djeshme konfirmoi të kundërtën. Qeveria shqiptare ditën e djeshme firmosi marrëveshjen për fazën e dytë e cila përfshin periudhën janar 2009-2011. Nëpërmjet këtij financimi synohet të arrihet liberalizimi i licencave duke zgjidhur përfundimisht burokracitë e administratës. Gjithashu nëpërmjet këtij programi synohet të bëhen më transparente procedurat e lejeve të ndërtimit, të cilat janë kthyer në gangrenë korruptive për ekonominë shqiptare. Faza e parë e këtij financimi shërbeu për të ngritur QKR, e cila në fakt është një nga arritjet më të suksesshme të bashkëpunimit mes qeverisë dhe SHBA. QKR ka treguar se bizneset mund të regjistrohen brenda një ditë duke shkurtuar afatet e gjata të burokracisë.
 Marrëveshja dypalëshe me USAID-in e angazhon Shqipërinë në reforma të përcaktuara që synojnë të reduktojnë korrupsionin dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Në këto reforma Shqipëria do të asistohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre dy viteve Programi i Sfidës së Mijëvjeçarit do të përmirësojë proçedurat e liçensimit duke i përqendruar ato në një Qendër Kombëtare Liçensimi; do të krijojë Gjykata të veçanta Administrative; do të krijojë një Regjistër Kombëtar Planifikimi për ti bërë procedurat e nxjerrjes së lejeve të ndërtimit më transparente; si dhe të zgjerojë dhe konsolidojë reformat në fushën e administrimit të tatimeve (si ato që kanë lidhje me aplikimin elektronik dhe auditimin) që kanë filluar gjatë fazës së parë të programit të Sfidës së Mijëvjeçarit. Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT) i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, një partner në Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, do të punojë me Prokurorinë e Përgjithshme për të krijuar edhe gjashtë Njësi të tjera  të Përbashkëta Investigative nëpër rrethe. Zyrtarë shqiptarë dhe deputetë u takuan në Tiranë me zyrtarë të Shteteve të Bashkuara për të diskutuar qëllimet dhe strategjinë e Programit. Zëvendës Kryeministri Genc Pollo shprehu besimin se Shqipëria do të bëjë përmirësime të dukshme dhe të prekshme në fushën e biznesit dhe në atë ligjore në kuadër të Programit. Sipas tij, faza e dytë synon të ulë korrupsionin dhe nxisë forcimin e shtetit ligjor dhe gjatë dy viteve, ky program do të mundësojë krijimin e gjykatave administrative, krijimin e një regjistri kombëtar të planifikimit të territorit, si dhe me reformat tatimore. Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë (OPDAT) i Departamentit Amerikan të Drejtësisë, një partner në Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, do të punojë me Prokurorinë e Përgjithshme për të krijuar edhe gjashtë Njësi të tjera të Përbashkëta Investigative nëpër rrethe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›