E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjysmë ore shi përmbyt Durrësin

Probleme të mëdha në disa lagje, por edhe përgjatë bregdetit pas shirave. Problem kryesor, mungesa e kanalizimeve


DURRËS - Gjysmë ore reshje të furishme me erë të fortë dhe një periudhë prej rreth një ore shira të qeta pas rrebeshit kanë mjaftuar që shumë zona të qytetit të Durrësit, si dhe banesa të zhyten nën ujë. Ndërkohë, rreth 27 familje kanë parë shtëpitë e tyre të përmbytura.


Po kështu edhe rrugët e Shkozetit apo çadrat e pushuesve të bregdetit të Durrësit tashmë gjenden në pushtetin e ujit. Shiu i furishëm nisi në mëngjes dhe nuk zgjati shumë, por intensiteti i madh shkaktoi përmbytje në zonën ku lidhet bregdeti me Shkozetin për shkak edhe të kanalit të kullimit që gjendet aty pranë.

Disa banorë të zonës kanë njoftuar se shtëpitë e tyre janë bërë të pabanueshme dhe kanë kërkuar ndihmë në bashki për largimin e ujit.


Po kështu, edhe në zonën e plazhit ka pasur mjaft probleme, shtretër të rrëzuar, bare të përmbytura dhe praktikisht një ditë pushimi e shkuar dëm për të gjithë ata që janë rezidentë në hotele. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytjen e të gjitha rrugëve të qytetit.


Sasia e madhe e ujërave të grumbulluara në rrugët e bllokuara edhe nga mbetjet inerte që kishin zbritur nga pjesa kodrinore e qytetit, ka krijuar mbingarkesë dhe bllokime qarkullimi të mjeteve të shumta të arterieve rrugore me mjaft lëvizje në orët e mëngjesit, si: në hyrje tek rrugëkryqi i afërt me stacionin e trenit, në rrugën "Aleksandër Goga", te rrethrrotullimi i Shkozetit etj.


Edhe në zonën e Spitallës ka pasur zona ku uji ka arritur deri në mbi 40 cm lartësi duke hyrë edhe në katet e para të banesave. Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre, pasi nga dëmtimi i pusetave, në oborret e pallateve kanë vërshuar edhe ujërat e zeza. Sipas drejtorisë së shërbimeve në bashki, problemi do të zgjidhet përfundimisht me ndërtimin e sistemit të ri të kanalizimeve.


Ndërsa në port, përveç përmbytjeve me ujëra në zonën e hyrjeve për në terminalin e trageteve, gjendja është paraqitur më e qetë, pasi nuk ka pasur erëra të vrullshme në det. Sipas kapitenerisë, erërat kanë qenë në kufirin e 25 km në orë, por puna është ndërprerë për pak kohë pasi hambarët janë mbajtur të mbyllur, sepse dëmtohen mallrat e ngarkuara në anije, ndërsa mjetet e peshkimit për çdo rastësi kanë qëndruar brenda territorit të portit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›