PR: Të ndryshohet sistemi zgjedhor
Partia Republikane kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual, nga proporcional rajonal me lista të paravendosura, në një sistem ku listat e kandidatëve do të jenë kombëtare dhe të hapura. Ky qëndrim u bë i ditur dje në një takim që kreu i PR-së, Fatmir Mediu, zhvilloi në Fushë-Krujë, ku foli gjatë në lidhje me sistemin e ardhshëm zgjedhor që kërkohet nga partitë e vogla. “Një kod proporcional rajonal, me listë kombëtare preferenciale, do të ishte zgjidhja më e mirë për një përfaqësim dinjitoz të të gjitha forcave politike”, deklaroi Mediu në një takim me simpatizantët e PR-së në këtë bashki. Po kështu Mediu përmendi në fjalën e tij edhe votimin elektronik, i cili, sipas tij, duhet realizuar sa më shpejt, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë sa me transparent. Sipas Mediut, Kodi aktual Zgjedhor penalizon partitë e vogla dhe në këtë kuadër kërkoi që sa më shpejt të fillohet të punohet për reformën zgjedhore në komisionin parlamentar. Në lidhje me situatën politike, Mediu theksoi se mazhoranca po punon për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa PS po punon për interesa personale të kryetarit të saj. Në këtë kuadër, Mediu shtoi se ka fakte që vërtetojnë se PS, me lobingun e saj, është përpjekur të sabotojë procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Në lidhje me zgjidhjen e situatës aktuale politike, Mediu theksoi se mazhoranca kërkon të respektohen standardet, institucionet dhe ligjet dhe askush të mos vendosë mbi gjykatat e vendit.
#