KQZ, Milo: Të ndryshojë përbërja
Nëse reforma zgjedhore do të jetë gjithëpërfshirëse, atëherë një nga çështjet ku mund të procedohet me ndryshime ligjore është edhe ajo e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I mbajtur deri më tani larg vëmendjes, pretendimet ndaj cilësisë së punës dhe vendimmarrjes së KQZ janë të shumëllojshme dhe nisen nga premisa të ndryshme. Kështu përveç akuzave të forta që kanë ardhur nga PS drejt këtij institucioni sa i përket vendimmarrjes së vitit 2009, një kërkesë për rikompozim ligjor të tij është artikuluar dje edhe nga një prej aleatëve të saj, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. “Unë mendoj se duhet ndryshuar edhe KQZ, sepse aty nis e keqja. Mendoj se nuk duhet që ky institucion të jetë më i përbërë nga njerëz që u përkasin partive politike, por nga specialistë dhe njerëz të pavarur”, tha për “Shqip”, Milo. Ai i është bashkuar kështu – edhe pse për arsye të ndryshme – pretendimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009, ka kërkuar përfaqësimin e vet në KQZ. Ndërkohë kërkesa për rikompozim të këtij organi lidhet me një problem juridik që ka të bëjë me ndërprerjen e mandatit të anëtarëve aktualë, e cila ka arsye të qartë se kur ndodh. Për këto arsye ky diskutim i hapur mbi raportet në KQZ, ka gjasë të gjenerojë debate sidomos brenda së majtës, edhe pse në nivelin e dytë dhe të tretë LSI ka të siguruar pjesëmarrjen në administrimin e procesit zgjedhor të ardhshëm.
#