E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Brace: Parate e tenderave, shkojne per pasurimin e familjes qe qeveris

Tiranë, 7 Shkurt, 12:50, NOA - Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, ishte sot në Gjirin e Lazlit, ku ka folur për abuzimet në tenderë. Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se, “investimi i Sistemim Asfaltim Rruga Gjiri i Lalëzit me vlerë 870 milionë lekë ose afërsisht 10 milionë dollarë ka nisur të ndërtohet në Janar 2007. Siç Tregon edhe tabela ajo duhet të mbaronte në Janar 2009 gjë që presupozon jo vetëm mbulim me financim brenda vitit 2008 por edhe dorëzimin dhe vënien në shfrytëzim të rrugës brenda 31 Janar të 2009”.

Për fat të keq rruga nisi të ndërtohet si rrugë elektorale 20 ditë përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007  dhe pikërisht për këtë arsye jo vetëm që nuk ka mbaruar por të dhënat në terren e tregojnë të largët ditën kur do të mbarojë. Rruga është e gjatë 20 km dhe koha prej 24 muajsh e ndërtimit të saj ka qenë mese e mjaftueshme ( 833 metra në muaj për tu ndërtuar). Po ti referohemi deklaratës së Sali Berishës se qeveria e tij së bashku me kompanitë e kontraktuara punojnë 24 orë në ditë ,me tre turne , rezulton që të ketë patur në dispozicion 17.520 orë pune , më një fjalë duhej të ndërtonte 110 cm rrugë në orë”, tha në Gjirin e Lazlit, Braçe.

“Kjo nuk ka ndodhur! Është asfaltuar deri tani gati 55 për qind e rrugës . Për fat të keq çdo kilometër në këtë pjesë të bërë është shkatërruar për shkak të cilësisë shumë të dobët të punës mbi të gjitha për shkak të mosrespektimit të standardeve në ndërtimin e shtresa të domosdoshme të rrugës. Kjo ka bërë që firma sot , kur rruga duhej të ishte e mbaruar, të nisë arnimin e segmentit të asfaltuar. 45 për qind e rrugës është në fazën fillestare të ndërtimit. Kjo duket qartë aq sa në 8 km jo vetëm nuk ka gjurmë asfalti por zor të gjesh gjurmë çaklli. 12 ura kryesisht të vogla 4-5 m të gjata të cilat duhet të rikonstruktoheshin nuk janë i janë nënshtruar një procesi të tillë”, tha ai.

Braçe tha gjithashtu se, “dalja jashtë afateve natyrisht që sjell dëm ekonomik, madje të madh. Por, dalja jashtë afateve tregon se sa i pavërtetë është spoti i Ministrisë së Transportit që këtë e shënon të mbaruar. Njëherësh gjendja e kësaj rruge tregon më së miri faktin se si monopoli klientilist në ndërtimin e rrugëve  i krijuar në Ministrinë e Transporti është i paaftë të përballojë fluksin e punëve në kohë por është thellësisht i aftë të përfitojë  shuma marramendëse nga paratë publike të shqiptarëve”.

“Së dyti kjo rrugë nuk po bëhet thjesht dhe vetëm si nevojë e banorëve të kësaj zone për të e për zhvillimin e zonës. Përkundrazi nevoja e banorëve të kësaj zone por shfrytëzohet kriminalist nga qeveria për të rritur vlerën e pronave të saj të përfituara në mënyrë të paligjshme ose të blera për një copë bukë nga banorët e varfër të zonës në Gjirin e Lalëzit. Një vit më parë në parlament kam treguar njoftimin e një kompanie imobiliare që shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 milionë metër katror tokë në Gjirin e Lalëzit të disponuara me certifikatë qeveritare –thuhet në njoftim”, vazhdoi nënkryetari i grupit parlamentar të PS.

“Rruga dhe ky njoftim është shembulli më i mirë që sjell në evidencë të njëjtën skemë siç ajo e Damir Fazlliç në Porto Romano sipas të cilës përdoren vendimet politike të qeverisë si dhe paratë publike të shqiptarëve për të rritu vlerën e pronave të paligjshme të pushtetarëve. Së treti fundi i rrugës është në fshatin e qeverisë. Nuk e  kam fjalën për fshatin e vjetër dhe banorët autoktonë. E kam fjalën për fshatin e luksit ku banon e ruhet me roje vajza e kryeministrit, kunati i kryeministrit , disa ministra , disa zv.ministra si dhe dy drejtorë të agjencive më të rëndësishme publike të shtetit, midis tyre dhe drejtori aktual i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Të gjitha janë të materializuara në deklarimet e tyre të pasurisë. Të gjitha dëshmojnë thelbin e sistemi ekonomiko kriminal të Sali Berishës: Paratë e bëra përmes abuzimeve në tenderë apo gjatë zbatimit të investimeve investohen në pasuri të paluajtshme në fshatin turistik të qeverisë”, tha gjatë fjalës së tij, Erion Braçe.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›