E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, grup pune për situatën hidroenergjetike

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) ka ngritur një grup pune për të monitoruar situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut, përgjatë dy ditëve të fundit. Niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur në 284 metra ndërsa prurjet në 650 metër kub në sekondë. Zëdhënësja e METE-s, Matilda Merxhani bëri të ditur se është ngritur një grup pune, i kryesuar nga zëvendësministri Leonard Beqiri, për të analizuar situatën hidroenergjetike në vend. Në të njëjtën kohë, Merxhani bëri të ditur se ky grup pune do të analizojë pa ndërprerje situatën në hidrocentralin e lumit Drin dhe shkarkimet e plota në hidrocentrale dhe do të monitorojë furnizimin me energji, duke e informuar çdo një orë Ministrin e Energjetikës, Dritan Priftin për situatën. "Duke vlerësuar situatën e rënduar hidroenegjitike për shkak të reshjeve të ditës së fundit, dhe në zbatim të rregullores të shkarkimit të flotave në hidrocentralet e Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës, ministri Prifti ka ngritur grupin e posaçëm të punës për të monitoruar 24 orë situatën, për të mos patur probleme në sistemin hidroenergjitik. Ky grup pune i përfaqësuar nga zv-ministri i Energjetikës, Leonard Beqiri, do të analizojë situatën e krijuar në hidrocentrale pas rënies së shirave ditët e fundit", deklaroi Merxhani. Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku deklaron se niveli i Fierzës ka arritur në 284 metra, ndërsa prurjet llogariten në 650 metra kub ujë në sekondë. "Fierza është 6 metra larg nivelit maksimal, dhe pavarësisht prurjeve të dendura nuk rrezikohet hapja e dyerve për derdhjen e ujit", tha Stojku.

Reshjet bllokojnë portet, ndalet peshkimi, vështirësi në lundrime

Situata alarmante, në të cilën gjendet aktualisht vendi për shkak të reshjeve, ka lënë një pasojë edhe në zonat detare, ku aktualisht janë pothuajse jashtë funksionit. Gjendja duket e rënduar në zonat detare, ku tragetet mësohet se po njohin vështirësi për lundrimin e tyre në det. Ndërsa në zonën e Durrësit raportohet se është bllokuar sektori i peshkimit. Kjo situatë alarmante duket e paraqitet në zonën e ish-Kënetës në Durrës apo edhe në rrethinat e Fushë-Krujës ku hektarë të tërë janë prekur nga përmbytjet e shiut. Ndërkaq, autoritetet bëjnë me dijeni se janë duke marrë masat paraprake që përmbytjet të mos shkaktojnë dëme. Niveli i lartë i reshjeve të shkaktuara gjatë orëve të natës dhe mëngjesit të djeshëm, ka shkaktuar përmbytje në shumë zona të vendit. Burimet meteorologjike për rrethe të ndryshme konfirmojnë se uji ka prekur katet e para të banesave dhe ka përnbytur zona të tëra fushore.
Ky lajm është publikuar: 09/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›