E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ryshfet në konsullata

Tiranë -Partia Socialiste ka denoncuar sot korrupsionin dhe ryshfetin që zhvillohet në konsullatat dhe ambasadat shqiptare në Milano, Bari, Romë, Athinë, Selanik dhe Janinë. Deputeti Taulant Balla ka paraqitur prova, sipas të cilit janë vjedhur disa milionë euro. “Për vitin 2005, Konsullata jonë në Athinë ka raportuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme 4 milionë e 50 mijë Euro. Për vitin 2006, po kjo Konsullatë ka raportuar 2.590.000 Euro. Pra vetëm në vitin e parë, kur në këtë Konsullatë u vendosën familjarët dhe militantët e Partisë Demokratike, në llogaritë e Konsullatës shqiptare në Athinë u zhdukën rreth 1.5 milionë Euro. Për vitin 2007, Konsullata në Athinë për gjashtë mujorin e parë ka raportuar 800 mijë euro, në fund të vitit 1 milion euro. Edhe sikur të pretendohet se janë hequr një pjesë e legalizimeve në pjesën e dytë të vitit 2007, përsëri në llogarinë e kësaj Konsullate mungojnë të paktën 1 milionë Euro”-thekso Balla.

Deputeti socialist ka akuzuar ministrin e Jashtëm Lulzim Basha si mbështetës të këtij korrupsioni dhe shpërdorimit të detyrës, që sipas deputetit Balla nuk ka reaguar për të shkarkuar nga detyra njerëz të përfshirë në afera korruptive.

Në fund të deklaratës, Balla i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet mbi këto akte korrupsioni dhe shpërdorimi detyre nga shërbimi konsullor i Shqipërisë dhe Ministri i Jashtëm Lulzim Basha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›