PS, Dade: Kryeministri, shurdhëri ndaj apelit të partnerëve euro-atlantik

“Sali Berisha manifestoi shurdhëri ndaj këshillave dhe sugjerimeve të partnerëve euro-atlantik, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE që flet në emër të 55 vendeve anëtare, Britania e Madhe, Rezolutën e Këshillit të Europës, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës Terri Dejvis, Partinë Socialiste që ripërsërit qëndrimin pro hapjes së dosjeve, përfaqësues të partive parlamentare dhe shoqërisë civile”, tha sot në një konferencë shtypi, Arta Dade, sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në PSSH.
“Më lejoni t'ju komunikoj atë ç'ka Terri Dejvis ka deklaruar sot: Ligji i ri i lustrimit duket se i është imponuar parlamentit shqiptar me nxitim. Mbështetësit e ligjit nuk patën kohën e mjaftueshme që të shpjegojnë pse një ligj i tillë është i nevojshëm pothuajse dy dekada mbas rënies së regjimit komunist. Vetëm faktori kohë krijon arsye për shqetësim që ky ligj do të krijojë më shumë padrejtësi sesa do të korrigjojë. Përsa i përket përmbajtjes së ligjit zoti Dejvis do të bëj të qartë qëndrimin e tij vetëm mbasi ekspertët e Këshillit të Europës do të kenë gjithë kohën e mjaftueshme për të analizuar përmbajtjen e ligjit”, tha ajo.
Sipas Dades, “sot Ambasada e SHBA-së ka ripërsëritur shqetësimin e saj. Ligji ngre pikëpyetje qeverisëse, ligjore dhe kushtetuese.
Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka sesi e shpëton atë dhe maxhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për
krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër”.
NOA