E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Do largohemi nga Këshilli Drejtues i RTShNga TemaPartia Socialiste kërkoi dje që të shkarkohen drejtuesit e RTSH dhe ky institucion t’i rikthehet me të vërtetë publikut, duke iu shkëputur ndikimit të fortë politik. PS paralajmëroi se do të largoj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

PS: Do largohemi nga Këshilli Drejtues i RTShNga Tema

Partia Socialiste kërkoi dje që të shkarkohen drejtuesit e RTSH dhe ky institucion t’i rikthehet me të vërtetë publikut, duke iu shkëputur ndikimit të fortë politik. PS paralajmëroi se do të largojë anëtarët e saj nga Këshilli Drejtues si shenjë proteste, nëse nuk do ketë reflektim.

“RTSh është kthyer prej kohësh në një zëdhënës zyrtar të partisë-shtet, duke vendosur praktikisht raporte diskriminimi dhe injorimi për opozitën, duke e goditur drejtpërdrejt atë dhe të vërtetën. Në edicionet e lajmeve dhe programet speciale që jepen si shtojcë e tyre, raporti i kohës pozitë-opozitë shkon nga 1 me 2 deri në 1 me 10 duke injoruar të vërtetën. Edicionet e lajmeve, që përgatiten në zyrat e kryeministrit dhe përcillen nga Drejtoria e Informacionit e RTSh, fillojnë dhe mbarojnë me bëmat e qeverisë, kryeministrit, kryetares së parlamentit dhe ministrave të kabinetit qeveritar; madje dhe lajmet që nuk përbëjnë lajm, për veprimtarinë normale të institucioneve shtetërore dhe drejtuesve të tyre, si udhëtimet jashtë vendit dhe në rrethe të ndryshme, telegramet dhe letrat e urimit, shpesh të karakterit privat, pritjet e përcjelljet rutinë, në të shumtën e rasteve, të personaliteteve e njerëzve të ndryshëm, e deri te veprimtaritë e udhëtimet private të krerëve të shtetit e familjeve të tyre, që s’kanë të bëjnë e s’kanë pikë interesi për publikun”, - tha deputeti socialist, Fatmir Toçi.

“Si një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSh kemi kërkuar në vazhdimësi dhënien llogari dhe thirrjen disa herë në mbledhje të drejtuesve të RTSh dhe, në mënyrë të veçantë, drejtorit të Departamentit të Informacionit për politizim të skajshëm të lajmit, dezinformim të qëllimshëm të publikut, thyerje të udhëzimeve, rregullores dhe ligjeve që përcaktojnë raportet e kohës së transmetimit midis forcave të pozitës dhe atyre opozitare etj.”

Deputeti socialist paraqiti më pas kushtet e tyre për RTSh.

“Ne dënojmë diskriminimin e vazhdueshëm që RTSh i ka bërë dhe vazhdojnë t’i bëjë Partisë Socialiste dhe veprimtarive të partive të tjera opozitare. Kërkojmë rishikimin të statusit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, për ta bërë atë me të vërtetë publik, në shërbim të njerëzve dhe të pavarur nga shteti e pushteti i çfarëdo qeverie qoftë. Ne kërkojmë dhe i bëjmë thirrje drejtuesve të këtij shteti dhe institucioneve të tjera të vendit të heqin dorë nga ndërhyrjet, presionet për ta shndërruar përfundimisht RTSh në shërbëtor publik, jo të publikut, por të pushtetit; ta lënë të qetë atë në punën e tij, duke i lënë hapësirë të lirë shprehjes së aftësive teknike e profesionale të punonjësve të tij, të cilëve deri tani politika i ka ndrydhur dhe ua ka kufizuar iniciativën. I kërkojmë Këshillit Drejtues të RTSh të marrë në analizë veprimtarinë e drejtorisë për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra për thyerje të rënda të statusit të institucionit publik. Në rast të mos-reflektimit, u kërkojmë anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSh, veçanërisht atyre të mbështetur nga Partia Socialiste, por edhe anëtarëve të tjerë, veprimtarë të spikatur në profesionet e tyre, të rishikojnë pozicionin e tyre deri në dorëheqje, në shenjë proteste për mosmarrjen në konsideratë të kërkesave të tyre të vazhdueshme për normalizimin e gjendjes”, - tha Toçi.

Sot G99 proteston para RTSh

Lëvizja G99 do të organizojë sot përpara godinës së Radiotelevizionit Shqiptar një protestë, ku do të kërkojë ndryshimin radikal të funksionimit të këtij institucioni.

“Ashtu siç është edhe vënë re dhe kritikuar në gjithë raportet ndërkombëtare (OSBE, Këshilli i Evropës, etj.), sidomos përgjatë fushatës elektorale, TVSh është kthyer në një megafon ekskluziv të propagandës qeveritare e më specifikisht të kryeministrit të vendit.

Gjatë periudhës elektorale, çështja e aksesit të barabartë në media, veçanërisht te radio dhe televizioni, është e një rëndësie tepër të lartë, dhe influencon dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve. Si rrjedhim, një mbulim mediatik i anshëm e shtrembëruar është një kërcënim serioz për demokracinë.

Sidomos për mediat shtetërore si Televizioni Publik Shqiptar, që mbahet nga paratë e taksapaguesve (pavarësisht bindjes politike), është e domosdoshme që të ofrojnë hapësirë të njëjtë sipas specifikimeve ligjore për të gjithë aktorët politikë në vend. Për momentin, vendimet editoriale të TVSh nuk merren nga profesionistë, por nga njerëz të politizuar që i shërbejnë vetëm mazhorancës qeverisëse. Është koha që këto praktika komuniste të marrin fund!” - thuhet në një njoftim të G99.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›