E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Dokle, fletët e votimit, as grisen as digjen

TIRANE- Partia Socialiste deklaroi sot se "fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen".
Një ditë pas deklaratës në media të kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani dhe kryeministrit Sali Berisha se "fletët e votimit do të digjen në përputhje me ligjin zgjedhor", selia rozë reagoi duke kundërshtuar kreun e institucionit qendror zgjedhor, përmes një deklarate të deputetit socialist, Namik Dokle.
Sipas tij, kriza e stërzgjatur politike po e fut Shqipërinë në një rreth vicioz të mosfunksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës dhe zgjidhja është te transparenca e zgjedhjeve.
"Tryeza e Strasburgut ofroi zgjidhje e vuri një afat sa të mençur aq dhe ultimativ dhe të gjitha kambanat bien për qeverinë. Ndërkohë opozita, në këto dy javë po i jep parlamentit shansin e normalitetit e gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen që tashmë është mbi tavolinë", tha deputeti Dokle.
Sipas tij moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në, dhe me çdo faktor të përfshirë në tryezë. “Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit,” shprehet Dokle.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›