Sezoni turistik, asnjë masë për përmirësimin e infrastrukturës
26/05/2010 BERAT-Dhe pse qyteti i Beratit ofron turizëm kulturor e historik për gjatë gjithë vitit piku i sezonit turistik siç është periudha maj-tetor vazhdon ta gjejë qytetin muze me një infrastrukturë rrugore që lë shumë për të dëshiruar. Dy akset hyrëse të këtij qyteti Berat- Fier dhe Berat - Lushnjë janë në gjendje skandaloze. Rrugët hyrëse të këtij qyteti në të gjithë gjatësinë e tyre janë gjithë gropa duke u bërë kështu një pengesë për gjithë vizitorët e huajë dhe ata vendas. Ndonëse, janë premtuar fonde për investimin në këto dy rrugë kryesore, ende situata vazhdon të mbetet e njëjtë dhe bëhet kështu pengesa kryesore për vizitorët. Por, si të mos mjaftonte problematika me rrugët kryesore e njëjta situatë është dhe me rrugët brenda qytetit. Ndonëse, Zyra e Turizmit pranë bashkisë së këtij qyteti po punon për promocionin turistik të qytetit për gjendjen e rrugëve nuk po mendohet si pasojë e mungesës së fondeve. Akset kryesore të këtij qyteti, Berat-Kombinat, kthesa e gjykatës, rruga drejt spitalit rajonal, rruga Anxhesi- kombinat janë në gjendje skandaloze. Drejtuesit e mjeteve në këtë qytet ankohen çdo ditë për gjendjen e rrugëve. Por, ajo çka është më e rëndësishme për zhvillimin e këtij qyteti, siç është turizmi, gjendja e rrugëve ndikon negativisht në sytë e vizitorëve qofshin ata të huajë, por dhe vendas.