Kalfin: Fitueset e 2008, janë Shqipëria dhe Kroacia

Ivailo Kalfin
Sofje, 15 Dhjetor, 13:00, NOA - Kroacia dhe Shqipëria janë fituesit e vitit 2008, për shkak të ftesës që kanë marrë për t’iu bashkuar NATO-s, ndërsa si gjëja më e arritur e vitit është qartësimin e statusit të Kosovës, ka thënë sot Ivailo Kalfin, zëvendëskryeministër i Bullgarisë.
Në një intervistë për gazetën “The Sofia Echo”, Kalfin, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, duke folur për fituesit dhe humbësit e vitit 2008 në Gadishullin ballkanik, ka thënë se qartësimi i statusit të Kosovës është e arritur e vitit.
“Krahasuar me vitin e kaluar, situata, dhe para se gjithash perspektiva politike e Kosovës, është shumë më e qartë, gjë që ishte edhe qëllimi – që autoritetet kosovare të angazhohen në zhvillimin politik dhe ekonomik të vendit”.
Ndërkaq si probleme që kërkojnë zgjidhje, sipas Kalfinit, është kontesti greko-maqedonas rreth emrit të Maqedonisë, dorëzimi i të akuzuarve të Hagës nga ana e Serbisë, bashkëpunimi i komuniteteve në Bosnje-Hercegovinë drejt integrimeve evropiane, etj.
c.a/NOA