E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për dosjet, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kundër

15/12/2008  SHKGJ e vlerëson projektin antikushtetues

Bejleri: U kërkojmë deputetëve të mos miratojnë dispozitat që kanë të bëjnë me gjyqësorin

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve një ditë para votimit nga Kuvendi të projektligjit “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, e ka cilësuar atë antikushtetues. Kryetarja e kësaj shoqate, Manjola Bejleri, gjatë një konference për shtyp, pasi shprehu pakënaqësinë e mënjanimit që politika shqiptare u ka bërë grupeve të interesit gjatë hartimit të projektligjeve të reja, veçanërisht për gjyqësorin, ajo renditi opinionin e SHKGJ-së për këtë projekt. Fillimisht Bejleri ka pozicionuar SHKGJ-në pro figurës së pastër, integritetit moral e profesional të gjyqtarit dhe të çdo nisme ligjore që e rrit këtë garanci e që ka lidhje të drejtpërdrejtë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe jo vetëm për funksionarët e gjyqësorit, por edhe për të gjithë funksionarët e tjerë të shtetit pa bërë asnjë dallim. Por ajo është shprehur kundër nismës në fjalë. “Nisma të tilla ligjore siç është dhe projektligji për pastërtinë e figurave, duhet pa diskutim të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë projektligj parashikohen dispozita të rëndësishme që kanë të bëjnë me statusin e gjyqtarit dhe përcaktojnë kushte për vazhdimin e marrëdhënieve të tij të punës si gjyqtar”, theksoi kryetarja e SHKGJ-së gjatë një konference për shtyp. Në vijim të arsyetimit të saj për këtë vlerësim, Bejleri kujtoi përcaktimet e Kushtetutës, sipas së cilës, ligji themeltar ka parashikuar qartë kriteret dhe kushtet për të qenë gjyqtar dhe së bashku me ligjet “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, edhe rastet e lirimit apo shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Në këto dispozita janë parashikuar gjithashtu edhe organet kompetente që vendosin për emërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve. “Me projektligjin që pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë tashmë krijohet dhe një organ i ri tërësisht politik, i cili përcakton të qenit ose jo gjyqtar, që është Autoriteti i Kontrollit të Figurave, i cili në mënyrë të çuditshme kushtetutshmërisht vihet mbi të gjitha organet kompetente për shkarkimin e gjyqtarëve”, vijoi ajo. Në deklaratën e saj Beljeri u fokusua edhe tek votimi i ligjit, i cili dhe pse prek në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e gjyqtarit, parashikon të kalohet për miratim vetëm me një shumicë të thjeshtë. Në përfundim ajo i kërkoi ligjvënësit të mos miratojë nenet që lidhen me gjyqësorin.

Manjola Bejleri

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve i kërkon Qeverisë dhe politikanëve që në respektim edhe të rekomandimeve të organizmave ndërkombëtare e së fundmi të raport-progresit të vitit 2008 të Komisionit të Komunitetit Evropian, të hartojnë një strategji të detajuar e të kujdesshme për zhvillimin e reformës në drejtësi, duke respektuar standardin gjithëpërfshirës të konsultimit brenda një kohe të mjaftueshme për të përftuar mendimin e të gjitha palëve.

Zbatimi i ligjit

Ecuria e miratimit të ligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve” sipas parashikimeve të mazhorancës, detyrimisht i hap rrugë verifikimit të gjithë zyrtarëve para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ligji i cili pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit janar, parashikon se“Autoriteti brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, përfundon verifikimin e figurës që çdo funksionari sipas radhës së përparësisë të përcaktuar në ligj”.

Procedura e verifikimit

Autoriteti i Kontrollit të Figurës, veprimtaria e të cilit vazhdon deri më 31 dhjetor të vitit 2014, fillon procedurën e verifikimit të pastërtisë morale të figurës së funksionarëve vetëm në dy raste. Së pari, autoriteti fillon procedurën kryesisht për të gjithë subjektet e përcaktuara në nenin 3 të ligjit, dhe në rastin tjetër, e nis procedurën pas kërkesës me shkrim të titullarit të institucionit apo organit të emërtesës së tij për funksionarin publik.

Antikushtetutshmëria dhe risitë

Papajtueshmëria e funksionit pasohet me dorëheqje

Subjekti që verifikohet i papajtueshëm me funksionet e parashikuara në ligj, ai duhet të japë dorëheqjen nga detyra e tij, çështja arkivohet dhe materiali verifikues mbetet konfidencial. Ky është përcaktimi ligjor për të cilin Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve shprehen kundër projektligjit, duke e cilësuar atë antikushtetues. Kjo pasi, është Kushtetuta dhe ligjet në fuqi që lidhen me funksionimin e institucioneve të gjyqësorit që përcaktojnë rastet e largimit të një gjyqtari nga detyra. Projektligji në fjalë përcakton subjektet dhe funksionet e larta shtetërore, të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë politike të zyrtarit për shkak të qenies si drejtues, anëtar ose bashkëpunëtor në strukturat politikëbërësë dhe zbatuese të dhunës së diktaturës për periudhën 29 nëntor 1944 deri 8 dhjetor 1990, rastet e papajtueshmërisë dhe procedurat e verifikimit. Subjekt i verifikimit do të jenë funksionarët të lartë publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë funksione kryesore, deri tek drejtorët e gjimnazeve dhe të mesmeve tekniko-profesionale. Risia e këtij drafti është e drejta e çdo shtetasi shqiptar për t’u njohur me dosjet. Ai paraqet kërkesën dhe merr përgjigje nga Autoriteti brenda 30 ditëve. Nëse kjo kërkesë është pozitive, ai njihet me të dhënat personale, por jo me emrat e personave të tretë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›