E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Fakte të reja për aferat e Dritan Priftit

Deputetja socialiste Vasilika Hysi deklaroi në një konferencë për shtyp se, “kanë kaluar më shumë se 45 ditë nga publikimi i aferës korruptive të pasurimit të Dritan Priftit me 1.8 milion euro, në konflikt të pastër interesi”.

“Teksa i lëmë kohë ministrave të qeverisë Berisha që të konsultohen me kunatat e kunetërit, për koncesionet dhe licencat që kanë marrë nga Sali Berisha dhe Dritan Prifti, dëshirojmë sot të bëjmë publike një sërë faktesh që hedhin hije edhe më të rënda dyshimi mbi përmasat e vërteta të kësaj afere”, deklaroi znj. Hysi, duke shtuar se kompania “Fortis 2” është regjistruar në vitin 2007 me një kapital themelimi 1 milion lekë të vjetra.

“Sipas bilanceve të vetë kompanisë për vitet 2007 dhe 2008, pra, në këto dy vite kompania nuk ka realizuar as edhe një lek fitim. Përkundrazi, rezulton që në këto dy vite humbjet të kenë qenë mbi 66 milion lekë”, theksoi më poshtë deputetja e opozitës, duke shtuar se në fillim të vitit 2009, vit gjatë të cilit Ministri Prifti shiti 30.5% të aksioneve të kësaj kompanie, ajo rezulton të ketë pasur detyrime ndaj palëve të treta në vlerën 6 311 336 000 lekë ose më shumë se 5 milion euro borxh.

“Këtij borxhi prej mbi 5 milion eurosh në vitin 2009, i është shtuar edhe një kredi tjetër mbi 1.5 milion eurosh. Pra, në total në vitin 2009 kompania ku ishte aksioner ministri Prifti kishte detyrime totale ndaj palëve të treta prej përafërsisht 7 milion eurosh. Pra, kemi një kompani që është krijuar me 1 milion lekë të vjetra, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milion eurosh dhe tre persona të punësuar”, deklaroi deputetja Vasika Hysi.

Ajo kërkoi të sqarohet se si shpjegohet që 30.5% e aksioneve të kësaj kompanie me bilanc falimenti, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milion eurosh shiten nga Ministri Prifti dhe blihen për 1.8 milion euro nga biznesmeni Rasim Hamzaraj, kushëriri i ministrit tjetër të LSI-së, Petrit Vasili.

Partia Socialiste i kërkon drejtësisë që të reagojnë duke nisur hetimin për këtë aferë korruptive, pasi mungesa e reagimit nga ana e tyre, siç ka ndodhur deri më sot, do të bënte që shqiptarët të humbnin çdo fije besimi tek prokuroria shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›