E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Fundjava e tmerrit për shkodranët, fundjavë e luksit për Priftin

Tiranë, 13 Janar NOA - Deputeti i Partisë
Socialiste Taulant Balla në një komunikim me mediat ka bërë publik skandalin
sipas tij, se kur Shkodra përmbytej Ministri i Energjetikës Dritan Prifti
udhëtonte për pushime luksi në Turqi.

Balla tha se e dëshmonte këtë fakt me
biletën vajtje-ardhje të Ministrit të Energjitikës dhe shtoi se Berisha ishte
tërësisht në dijeni të këtij informacioni.

Përmbytjet në këto zona kanë filluar në datat
27 dhe 28 dhjetor. Po ti referohemi deklaratës së Drejtorit të KESH, hapja e
portave është bërë pikërisht më datë 27 dhjetor.

Këto fakte duhet ta kishin vënë qeverinë në
alarm dhe në gatishmëri pikërisht në këto ditë, - sugjeroi Balla.

Kurse shtroi pyetjen: Po ku ishte qeveria në
ditët e fillimit të tmerrit për banorët e Shkodrës?.

Balla theksoi se Dritan Prifti Ministri i
Energjitikës, dy ditë pasi kishte filluar përmbytja e paramenduar, më datë 30
Dhjetor është larguar nga Shqipëria për të pushuar në një hotel luksi në Turqi
dhe është rikthyer në Shqipëri vetëm më datë 3 Janar kur tashmë Shkodra ishte
zhytur nën ujë, jetët e banorëve ishin vënë në rrezik, ndërsa pronat ishin
shkatërruar plotësisht.

Për opozitën, kjo është prova më e qartë se
kjo qeveri është e papërgjegjshme dhe me papërgjegjshmërinë e saj ka shkaktuar
katastrofën që përmbyti Veriun e vendit, që rrezikoi jetët e mijëra shkodranëve
dhe la mijëra familje pa shtëpi, pa pronë, pa bagëti, pa të nesërme.

Në kushtet kur Shkodra zhytej në ujë dhe
portat që përmbytnin Veriun e vendit ishin hapur, ministri përgjegjës zgjodhi
të largohej për pushime duke u rikthyer në Shkodrën e përmbytur 5 ditë më pas,
kur tashmë  situata ishte në pikën kritike, - komentoi Balla, duke vlerësuar
se fundjava e tmerrit për shkodranët, ishte fundjava e luksit për Dritan
Priftin.

Sali Berisha ka qenë në dijeni të plotë të
këtij informacioni. Kjo është arsyeja pse ai e mbron Dritan Priftin në vend që
ta shkarkojë atë. Për këtë arsye përgjegjësia për përmbytjen e Shkodrës është
përgjegjësi e Sali Berishës, - përfundoi Balla.

r.b/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›