E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, Sabit Brokaj nis takimet me senatorët

Nga Darina Tanushi
Bashkimi i së majtës, ish-deputeti i Metës bisedon me Pëllumbin, Meidanin dhe Agollin.Negociohet takimi i përbashkët për pajtimin e Edi Ramës me Ilir Metën. 

TIRANE-  Të urtët” e PS-së dhe të LSI-së kanë marrë përsipër të bashkojnë Ramën dhe Metën para zgjedhjeve. I mandatuar nga kryesia e LSI-së, Sabit Brokaj është takuar dje në takime të veçanta me pjesën e socialistëve të vjetër, Rexhep Meidani, Dritëro Agolli e Servet Pëllumbi. Të 4 personazhet, që dashje pa dashje kanë marrë emrin “negociatorët”, nuk kanë bërë asnjë koment për hapat që do të hedhin për të bashkuar dy të rinjtë që kryesojnë PS-në dhe LSI-në e që kanë kohë që nuk flasin me njëri-tjetrin. Situata në të cilën ndodhet opozita para zgjedhjeve është diskutuar dje, shumë seriozisht dhe pritet që sot ose nesër, 4 negociatorët të zhvillojnë një takim të përbashkët, për të dalë edhe publikisht me një deklaratë të firmosur prej tyre. Burimet nga dy partitë thonë që në këtë deklaratë, socialistët e vjetër do të sugjerojnë rrugën e bashkimit të partive të majta për të arritur fitoren e zgjedhjeve, e cila rrezikohet nëse ata janë të përçarë përballë Berishës. Në takimet e veçanta, të tre figurat e njohura socialiste i kanë shprehur Brokajt ato qëndrime të bëra publike edhe në intervistat e tyre në media, për nevojën e pashmangshme të bashkimit të së majtës. Por në takimin e përbashkët do të saktësohen me pika konkrete propozimet që do t’u dërgohen më pas dy partive, PS dhe LSI-së. Në fakt, asnjëri prej anëtarëve të vjetër të PS-së, as Pëllumbi, as Agolli dhe as Meidani nuk janë mandatuar nga partia e tyre për këto negociata riafrimi me LSI-në. Për shkak të saj dhe për hir të rritjes së mundësisë së fitores së zgjedhjeve, tre figurave të majta do t’u duhet që të bisedojnë në anën tjetër personalisht me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për ta bindur atë të ulet e të bisedojë me Metën. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare” në lidhje me qëndrimet e fundit të Pëllumbit, Agollit, që kërkojnë bashkimin e së majtës para zgjedhjeve, Rama u shpreh shkurt: “Qëndrimi ynë ka qenë dhe mbetet i qartë, Kodi është çështje e mbyllur, dera jonë është gjithnjë e hapur. Po të dojë vërtet të bashkohet dhe të luftojë me ne Ilir Meta, ta thotë dhe mirë se të vijë”. “Por, - shtoi kreu socialist, - fatkeqësisht u bënë kohë që ai çfarë thotë një ditë, nuk e thotë një ditë tjetër”. U bënë gati dy javë, që kur kreu i LSI-së, Ilir Meta i dërgoi një letër zyrtare Ramës, ku i kërkonte që të uleshin në një takim së bashku për të biseduar në lidhje me standardet e zgjedhjeve. Kërkesa e Metës erdhi në momentin që Presidenti i Republikës ktheu në Kuvend sërish për rishikim Kodin Zgjedhor. Por deri më dje, Rama nuk i ktheu asnjë përgjigje zyrtare, ashtu siç edhe Meta e kërkoi. Megjithëse dje, kreu socialist përsëriti se dera e PS-së është e hapur për Ilir Metën dhe bashkimin me LSI-në, duket se kjo nuk ka lidhje me kërkesën e këtij të fundit për diskutimin e pikave të veçanta të Kodit Zgjedhor. Mbetet për t’u parë qëndrimi i Ramës, pas propozimeve të grupit negociator.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›