“Shqiponja”, akuza kërkon burg për 5 vetë
TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi gjykatës cilësimin fajtor dhe dënimin e pesë të akuzuarve për trafik narkotikësh. Gjatë fjalës së tyre përfundimtare, përfaqësuesit e organit të akuzës kërkuar dënimin me 12 vjet burg për të pandehurin Sentilian Rungo. E njëjta masë dënimi u kërkua dhe për të akuzuarit, Ajet Agolli e Bledar Lushnjaku, 10.6 vjet burg u kërkua dënimi për Leonidha Shkodrani. I vetmi që ka gjasa të lërë qelinë është Altin Janko, për të cilin u kërkua dënimi i tij me kohën e paraburgimit. Pesë të pandehurit u arrestuan afro një vit më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Shqiponja”, që u organizua nga Drejtoria e Krimit të Organizuar. Hetimet për të goditur grupin kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë, zgjatën shtatë muaj dhe në pranga ranë të paktën 15 persona, të cilët po gjykohen në disa procese penale. Policia ka bllokuar disa sasi të mëdha droge. Kështu, në makinën tip “Opel”, me targa APH 1785 në pronësi të Sentiliano Rungos, u gjet një sasi prej 9 kilogramë e 973 gramë heroinë. Ngarkesa e dytë u kap më 29 gusht 2007, kur Altin Sotomeni po udhëtonte në drejtim të Kapshticës me mjetin e tij “Toyota”, me targa NBE 5136.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)