E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Bashkisë së Tiranes, 7.6 miliardë lekë

Nga Ermelinda Hoxhaj
Në bazë të transparencës së Tiranës për 2008-ën, është kërkuar nga qytetarët që objektiv kryesor të jetë rikualifikimi urban, pastrimi i qytetit dhe infrastruktura rrugore 

TIRANE-Projektbuxheti i hartuar nga Bashkia e Tiranës në vëmendje të tij ka një sërë projektesh. Vlera totale e buxhetit mendohet se arrin shifrën e 7,6 miliardë lekëve. Në bazë të transparencës së Tiranës për 2008-ën, është kërkuar nga qytetarët që objektiv kryesor të jetë rikualifikimi urban, pastrimi i qytetit dhe infrastruktura rrugore. Ndaj, Bashkia ka vendosur që për mjedisin dhe rikualifikimet urbane të investohet rreth 12.4% më shumë se në 2008-ën. Ndërkohë që, për pastrimin e qytetit është hartuar një shumë gati 70% më shumë se në 2008-ën, gjë që sipas specialistëve do ta kthejë Tiranën në qytetin më të pastër të vendit. Për infrastrukturën rrugore është menduar të investohet 21.4% më shumë se viti i kaluar, pra rreth 5.6 miliardë lekë. Por, në këtë buxhet nuk është lënë pa u përmendur transporti publik, që aktualisht është një plagë për kryeqytetin, pasi ky shërbim aktualisht lë shumë për të dëshiruar, ndaj për të është planifikuar që të investohet 2.7 herë më shumë se në 2008-ën, ndërsa për arsimin parauniversitar do investohet 50% më shumë.
Infrastruktura
Investimet në infrastrukturën rrugore ende përbëjnë një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit të Bashkisë. Por, këtë vit do të synohet ndërhyrja në akset dhe arteriet kryesore. Kështu parashikohet fillimi i punimeve për ndërtimin e segmentit të parë të Unazës së Madhe, segmenti (rruga e Kavajës-rruga e Elbasanit) dhe mbikalimit tek Shkolla Teknologjike. Një tjetër projekt i rëndësishëm është përfundimi i segmenteve të Unazës së Vogël. Aktualisht ajo po mbahet peng vetëm nga segmenti i fundit, pasi Bashkia e Tiranës është në pritje të përfundimit të shpronësimeve nga qeveria. Gjatë vitit 2009 parashikohet ndërhyrja në 9 blloqe banimi.
Rikualifikimi
urban
Në projektet më të rëndësishme të rikualifikimit urban, është projekti i sheshit "Skënderbej". Projekti i rehabilitimit të sheshit "Skënderbej" synon rivitalizimin jo vetëm të sheshit dhe të perimetrit përreth tij, por edhe restaurimin e dy prej simboleve historike të Tiranës, që janë të lidhura me këtë shesh: Xhamia "E'them Beu" dhe Kulla e Sahatit, plus Ndërtesa e Sahatçiut. Xhamia, për shkak se i është nënshtruar edhe disa restaurimeve të mëparshme, do të trajtohet vetëm në pjesën e kupolës, me një mbulim me fletë të reja metalike/alumin. Do të bëhet trajtimi konsolidues i pikturave të jashtme nën strehë dhe do të vendoset tabela e historikut të Xhamisë. Kulla e Sahatit do të kalojë nëpër një proces restaurimi më të thellë, i cili do të shoqërohet edhe me vendosjen e mekanizmit të orëmatësit dhe fushave të orës. Gjithashtu, një projekt kryesor është dhe ndryshimi i destinacionit të ish-Fushës së Aviacionit, duke e kthyer në një park të gjelbëruar.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›