E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-LSI bashkojnë votat, e shtyjnë draftin

Ndonëse mungon aleanca e madhe mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, diçka e tillë është realizuar dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka bashkuar votën me deputetët e Partisë Socialiste, duke kthyer për rishqyrtim projektligjin "Për azilin në Republikën e Shqipërisë". Burimet nga mbledhja e komisionit sqaruan se rezultati është vendosur katër me tre në mbështetje të kthimit të këtij projektligji. Votat "kundër" ishin të kreut të LSI-së, Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i komisionit, Gramoz Ruçit, Taulant Ballës dhe Ymer Tolës së Partisë Demokristiane. Nga krahu tjetër, kanë votuar "pro" tre deputetë të së djathtës në këtë komision. Vetëm pak ditë më parë, e njëjta aleancë u shfaq teksa raportonte në komision ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Në deklarimet në komision, Ilir Meta ishte në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Një ndër elementët më interesantë është fakti se, ndonëse kanë probleme mes koalicionit opozitar, Komisioni Parlamentar i Integrimit është i vetmi vend ku kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste i drejtohet Ilir Metës me shprehjen "zoti kryetar!". Bashkimi i votave mes PS e LSI tregoi qoftë edhe në këtë rast simbolik se është vendimtar dhe siguron një epërsi përballë Partisë Demokratike dhe së djathtës. Por pavarësisht këtyre aleancave të çastit mes dy partive kryesore të së majtës, vazhdon të mos duket dritë në urën e bashkëpunimit. Rama dhe Meta së fundi shkëmbyen deklarata në distancë, duke konsumuar pa sukses edhe një mundësi tjetër takimi pas rikthimit në Kuvend të Kodit të ri Zgjedhor. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gjasat duken se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkojnë të ndara në dy koalicione të ndryshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›