E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Ligji i ri i SHISH, kusht i ri për të hequr dorë nga bojkoti

Tiranë,11 shkurt, NOA- Pas hapjes së kutive,
Partia Socialiste është drejt vendosjes së një kushti tjetër për të hyrë në
Parlament. Nëse qeveria nuk tërhiqet nga projektligji i ri për Shërbimin
Informativ Shtetëror, deputetët e PS-së nuk do të hyjnë në Kuvend.  Deputeti socialist, Eduard Shalësi tha se
miratimi i këtij ligji për shërbimin informativ është një hap mbrapa dhe kërcënim
për demokracinë.

Ne jemi të vendosur të ndalojmë çdo përpjekje
të Sali Berishës për të uzurpuar këtë institucion dhe nëse Sali Berisha nuk
tërhiqet publikisht nga kjo iniciativë atëherë SHISH do të jetë një tjetër
kusht për kthimin e opozitës në parlament, u shpreh Shalësi.

Ai shtoi se kjo është përpjekja e dytë e
qeverisë për të kontrolluar këtë institucion, duke ju referuar projektit të
kryeministrit Berisha në vitin 2005.  

Nga ana tjetër, Shalësi u shpreh se gjatë
qeverisjes së PD-së institucioni i Shërbimit Informativ Kombëtar  është deformuar. Në linjë të këtij qëndrimi,
deputeti i PS-së ka sjellë dhe referencat e SHIK-ut gjatë vitit 1996.

Amendamentet e reja të propozuara në ligj nuk
kanë asnjë gjë të përbashkët me përmirësimin dhe fuqizimin e rolit të shërbimit
informativ, por përkundrazi e çorientojnë dhe hallakasin plotësisht atë, duke e
larguar nga objektivat kushtetuese dhe duke e afruar me objektivat personale të
Sali Berishës, tha Shalësi.

xh/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›