E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Meta fyen dhe shpif në mënyrë shembullore

Konventa e LSI-së në kryeqytet dhe mbledhja e këshillit bashkiak të Lushnjës u paralelizuan dje nga zëdhënësja e Kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, për të treguar dallimin mes PS e LSI. Sipas saj, shqiptarët panë tablonë e Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës. "Por edhe tablonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër të Sali Berishës, Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore Bashkinë e Tiranës e kryetarin e saj", u shpreh Kodheli. Ajo këmbënguli se me votën pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, PS respektoi kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë. "Ndërsa Ilir Meta e Monika Kryemadhi, për fat të keq, e vunë edhe njëherë dje interesin e oborrit të tyre të vogël mbi vullnetin dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Tiranës, duke deformuar realitetin e shifrave të buxhetit e të fakteve të punës së bërë nga Bashkia e Tiranës, me një agresivitet e mungesë vërtetësie aq të madhe, sa me siguri duhet t‘i ketë pasur zili edhe Berisha me Olldashin", theksoi Kodheli. Ajo vijoi t‘u bëjë thirrje aleatëve të 18 shkurtit 2007, të mos vazhdojnë ta shkelin kontratën me qytetarët, duke u bërë palë kundër buxhetit të qytetit me ata që kanë 8 vjet që i turren qorrazi Bashkisë së Tiranës dhe duke krijuar me partinë e Sali Berishës, një shumicë që bie ndesh me vullnetin e zgjedhësve e me interesin e të gjithë kryeqytetasve. "Kur mbeten edhe 148 ditë nga largimi i Berishës, ne mendojmë që Ilir Meta s‘ka asnjë të drejtë të sillet me interesat e njerëzve e të vendit njësoj si në vitin 2005", tha Kodheli. Teksa shprehu bindjen se kështu mendon e gjithë ajo shumicë e madhe shqiptarësh, që duan ndryshimin të cilin po e pengojnë përditë e më shumë bashkërisht Sali Berisha dhe Ilir Meta. Këto deklarime të drejtueses socialiste vijnë një ditë pasi kreu i LSI-së, Ilir Meta, mbajti një fjalim kritik gjatë mbledhjes së Konventës së kryeqytetit. Në këtë takim, Meta shprehu bindjen në suksesin e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›