Shpallet zyrtarisht themelimi i Partisë G99
Lëvizja politike G99 dje shpalli publikisht shndërrimin e saj në një parti politike. Sipas vendimit të djeshëm, grupimi i drejtuar nga Erion Veliaj vendosi të hyjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit 2009. Ish-drejtuesi i organizatës "Mjaft!" Erion Veliaj, aktualisht kryetar i G99 deklaroi se vendimi për të marrë pjesë në politikë, lidhet me nevojën për të ndryshuar realitetin shqiptar si pasojë e keqqeverisjeve dhe politikave të tranzicionit. Veliaj konfirmoi sërish se zgjedhja taktike është pjesëmarrja në një koalicion të njerëzve që ndërtojnë dhe jo në koalicionin që bashkon votat për të shkatërruar vendin. Siç është paralajmëruar tanimë, G99 do të jetë në një koalicion me Partinë Socialiste, Partinë Socialdemokrate dhe Partinë Demokracia Sociale. Veliaj e cilësoi G99 si një shoqëri aksionere të njerëzve të lirë dhe garantoi se kjo forcë e re politike do të vetëfinancohet nga kontributi i anëtarëve të saj. Bashkëthemeluesit kanë vënë firmën dje mbi aktin e krijimit të partisë me shpresën se mund të garojnë për t‘i dhënë fund tranzicionit, për të sjellë më të mirën në shërbim të publikes dhe për të dhënë kontributin në demokratizimin e demokracisë.