E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Buxheti i 2010 më i mirë në historinë e qeverive

Gjatë konferencës për shtyp, Prifti tha se të ardhurat me të cilat prezantohet ky p/buxhet nuk kanë qenë asnjëherë më të larta. "Janë 360 miliardë lekë të ardhura, ndërsa shpenzimet që parashikohen janë afërsisht 409.9 miliardë lekë", tha Prifti.

Sipas tij, pavarësisht se i gjithë rajoni është në një situatë akoma të një krize globale financiare, në Shqipëri në krahasim me një vit më parë, të ardhurat e buxhetit të shtetit parashikohen të rriten rreth 12%, ndërsa shtoi se "kjo nuk po ndodh në asnjë nga vendet rreth nesh, por as edhe në Evropë".

Kreu i METE-s tha se edhe zëri i shpenzimeve po të krahasohet me vitin 2005, ku kanë qenë vetëm 27% të GDP-së, në buxhetin e 2010 ato bëhen 32%. "Të rrisësh shpenzimet buxhetore si një përqindje të Produktit të Brendshëm Bruto në një mënyrë kaq të shpejtë është një sukses i jashtëzakonshëm", deklaroi Prifti. Për kreun e METE-s, PBB vitin që vjen parashikohet të rritet me 6.5% , ndërsa theksoi se, vendet e tjera në rajon nuk guxojnë të planifikojnë një rritje më shumë se 2%.

 "Ne do të vazhdojmë të jemi një nga vendet që zhvillohen më shpejt, pavarësisht madhësisë në të gjithë Europën", vijoi Prifti. Sipas Prifti, inflacioni parashikohet të jetë në nivelin e 2-3%. Në buxhetin e vitit 2010 prioritet gjithashtu do të jetë bujqësia", deklaroi ministri Prifti. Sipas tij, në mbledhjen më të fundit të qeverisë, pavarësisht se ishte parashikuar një rritje e rëndësishme me 46% e fondeve, krahasuar me një vit më parë për investime në bujqësi, pothuajse të gjithë ministrat kanë propozuar që të rritej edhe më tej fondi për investime në bujqësi.

 "Kryeministri ka dhënë porosi për dyfishimin e fondeve në bujqësi për vitin 2010 dhe këto investime do të përqëndrohen në sistemin e kullimit dhe të ujitjes dhe në projektin e ullirit, për të vazhduar dhe për ta subvencionuar këtë kulturë", theksoi ai. Prifti tha gjithashtu se shpenzimet për administratën janë ulur në një nivel 0.3% të GDP-së, pra në nivelin më të ulët të shpenzimeve për të gjitha vendet e rajonit.

Përsa i takon METE-s, Ministri Prifti tha se qeveria ka vendosur të rrisë më 22% buxhetin për këtë dikaster. "Ky buxhet lejon të shpenzojë më shumë për politika ekonomike", tha ai, ndërsa shtoi se "do të kemi mundësi që të shpenzojmë më shumë për të mbështetur biznesin, më shumë për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme".

                                                                                             

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›