Mejdani: Presidenti i ri të jetë konsensual

Ish-presidenti, Rexhep Mejdani ka deklaruar sot se presidenti i ri i vendit duhet të jetë një emër konsensual. I pyetur nga mediat në lidhje me kandidimin e Fatos Nanos, ish-presidenti Mejdani theksoi se duhet respektuar Kushtetuta e vendit pavarësisht ajo ka probleme me mënyrën e përzgjedhjes së kreut të shtetit.
“Nuk kanë rëndësi emrat e kandidatëve, presidenti duhet të jetë konsensual. Konsensusi? Është pjesë e jetës politike shqiptare. Ka një problem me kushtetutën dhe mënyrën e përzgjedhjes së presidentit, kërkon mbështetje prej 20 deputetëve të parlamentit duket sikur çdo gjë është e zgjidhshme, por problemi siç shihet sot nuk lidhet shumë me qytetarin, është brenda lojës politike, drejtuesve kryesorë të forcave politike, më duket i pakuptimtë, sepse i tillë është procesi tek ne, edhe vetëkandidimet janë artificiale. Nuk është gjetur zgjidhja për të përfshirë realisht qytetarin, kjo zgjidhje mundet të arrihej nëse do të kishte një vullnet politik për të bërë një ndryshim kushtetues për këtë përfshirje qytetare për zgjedhjen e presidenit nga populli”, tha Mejdani.
Gjithashtu Mejdani theksoi se kandidimi i Fatos Nanos për kreun e ri të shtetit është pjesë e një loje politike. “Është pjesë e një loje politike dhe duke qenë e tillë duke munguar akoma bashkëveprimi mes forcave kryesore. Presidenti ka shumë shanse të zgjidhet në raundin e katër ose të pestë dhe zgjidhja do të jetë nga një shumicë e thjeshtë parlamentare, gjë që ka probleme përsa i përket atij neni kushtetues që lidhet me përfaqësimin e presidentit si personi kryesor i unitetit të popullit që bashkon forcat politike dhe jo i ndan ato” theksoi Nano.