E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Rama: PS pa kandidat

Mbledhje e Grupit të PS

Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist, e drejtuar nga kryetari Edi Rama, është fokusuar te zgjedhja e Presidentit të ri. Pak ditë para takimit që ish-kreu i PS, Fatos Nano, ka kërkuar të zhvillojë me Edi Ramën për kandidaturën e tij për kreun e shtetit, Rama ka shpjeguar para deputetëve se e rëndësishme në këtë proces për PS do të jetë procesi, dhe jo emrat e përveçëm. Rama e ka konsideruar këtë proces si një kriter kualifikues për vendin, njëlloj si 12 prioritetet kualifikuese për Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryesocialisti është shprehur se PS nuk do të ketë kandidat të saj për Presidentin e Republikës, ndërsa procesi për të shkuar deri tek emrat e përveçëm, sipas tij, është përshëndetur dhe nga faktori ndërkombëtar, me të cilët Rama ka ndarë opinionet e tij. Nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, i ka kërkuar Ramës që procesi i konsultave dhe i negocimit të mos zhvillohet në lokalet e Tiranës, por të bëhet një proces institucional. Braçe ka propozuar që ky proces të zhvillohet në ambientet e Kuvendit, propozim që është mbështetur dhe nga Rama. Në këtë kontekst do të theksoja se e rëndësishme është që të ketë një proces institucional konsultimi jo lart e poshtë kafeneve të Tiranës. Ne duhet të ndërtojmë një proces konsultimi institucional, madje në Parlament. Meqenëse Presidenti do të zgjidhet në Kuvend, ne duhet ti kërkojmë kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefinë, që të krijojë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar këtë proces, ku kandidatët të dëgjohen përpara një grupi pune që mund të krijohet për këtë proces, mësohet të ketë thënë Braçe dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Në mbledhjen e djeshme ka pasur mungesa të shumta të deputetëve, për shkak të angazhimit të një pjese të tyre në qarqet ku janë të deleguar me zgjedhjet në Partinë Socialiste. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Braçe, ka kërkuar nga kryesocialisti një sqarim lidhur me ngjarjet e 21 janarit, duke komentuar dhe deklaratën e ambasadorit amerikan, Arvizu. Dua të sqaroj dhe një qëndrim timin këtu në mbledhje me kolegët. Një ambasador në Tiranë, nisur nga qëndrimet e mia të bëra publike në media, i ka cilësuar si qëndrime personale mendimet e mia për ngjarjet e 21 janarit dhe viktimat e shkaktuara në të. Dua të them se ai qëndrim i shprehur nuk është aspak personal, por qëndrim i Partisë Socialiste. Nuk e di nëse PS ka ndryshuar qëndrim për 21 janarin dhe këtë dua ta di nga kryetari, mësohet të jetë shprehur Braçe. Rama ka ripërsëritur qëndrimin e PS, se 21 janari ishte një krim politik me katër viktima që PS e dënon rëndë.

Debati në Grupin Parlamentar të PS
Edi Rama:
Meqenëse po afrojnë dhe afatet që përcaktohen për të nisur diskutimi për garën për Presidentin e ri të vendit, dua të them disa gjëra për qëndrimin që ne do të mbajmë. E kam shprehur dhe më parë në takimet që kemi zhvilluar, se për ne e rëndësishme është procesi, dhe jo emrat. Procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës është dhe pjesë e programit tonë Një Rilindje Shqiptare për rivendosjen e demokracisë në vend. Do të doja që të mos bëhemi pjesë e diversioneve apo e prononcimeve për emra të përveçëm. Të jemi të unifikuar në qëndrimin tonë që për ne e rëndësishme është ndërtimi i një procesi.
Erjon Braçe: Në këtë kontekst do të theksoja se e rëndësishme është që të ketë një proces institucional konsultimi jo lart e poshtë kafeneve të Tiranës. Ne duhet të ndërtojmë një proces konsultimi institucional, madje në Parlament. Meqenëse Presidenti do të zgjidhet në Kuvend, ne duhet ti kërkojmë kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefinë, që të krijojë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar këtë proces, ku kandidatët të dëgjohen përpara një grupi pune që mund të krijohet për këtë proces.
Edi Rama: Jam dakord se procesi duhet të jetë institucional. Ne nuk do të kemi kandidatin tonë për sa kohë nuk do të ketë një proces konsultimi, konsensusi, gjë që na i ka mbështetur dhe faktori ndërkombëtar në Tiranë. Ne nuk do të kemi kandidatin tonë për President.
Erjon Braçe: Dua të sqaroj dhe një qëndrim timin këtu në mbledhje me kolegët. Një ambasador në Tiranë, nisur nga qëndrimet e mia të bëra publike në media, i ka cilësuar si qëndrime personale mendimet e mia për ngjarjet e 21 janarit dhe viktimat e shkaktuara në të. Dua të them se ai qëndrim i shprehur nuk është aspak personal, por qëndrim i Partisë Socialiste. Nuk e di nëse PS ka ndryshuar qëndrim për 21 janarin dhe këtë dua ta di nga kryetari.
Edi Rama: Qëndrimi ynë për 21 janarin është i shprehur në mënyrë të përsëritur, mbetet institucional dhe zyrtar. Nuk ka asnjë ndryshim. E kemi cilësuar 21 janarin si një krim të shëmtuar politik me pasojë katër qytetarë të vrarë nga dora e pushtetit për të mbajtur në pushtetin.

OSBE: Duhet President dinjitoz
Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth, tha dje se Presidenti i ardhshëm duhet ta drejtojë në mënyrë dinjitoze këtë institucion. Duke folur nga qyteti i Durrësit, ai tha se, sipas afateve kushtetuese, po ofron koha për të nxjerrë kandidaturat. Ne, në radhë të parë shohim Kushtetutën, dhe Kushtetuta e rregullon mënyrën se si duhet të zgjidhet President i Republikës. Tashmë, në fakt, po afrohet çasti kur duhen caktuar dhe prezantuar kandidatët. Prezenca e OSBE-së ua lë tërësisht në dorë qytetarëve, partive politike dhe sistemit politik shqiptar propozimin e kandidatëve për President. Është thelbësore që të identifikohen personalitete që mund ta drejtojnë institucionin në mënyrë shumë dinjitoze. Pushteti moral i këtij posti është veçanërisht i lartë dhe Shqipëria e qytetarët e saj meritojnë një shërbim sa më të mirë, u shpreh Volfarth.l.m

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›